E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i hipotekon edhe detin pronarit të ri të Albpetrolit

Emirjon Senja

Kompania private që do të blejë Albpetrolin, jo vetëm që do të ketë në dispozicion pasurinë nëntokësore për të paktën 25 vjet, por gëzon edhe më shumë se 60 për qind të të gjithë territorit tokësor madje edhe atë detar të vendit. Një fakt i tillë ishte publikuar më parë edhe nga Shekulli, konkretisht në shkrimin e datës 30 prill 2012 me titull: Lista C, qeveria shet edhe vendburimet e reja të naftës dhe gazit, gjë e cila u konfirmua edhe nga publikimi i listës në fjalë nga vetë ekzekutivi.

Por çfarë është lista C dhe çfarë do të thotë ajo për Albpetrolin dhe pronarin e tij të ri privat që po pret tia gjejë qeveria? Në listën C janë futur të gjithë vendburimet e perspektive të naftës dhe të gazit, në të cilat me teknologjinë e deritanishme nuk është konfirmuar plotësisht se kanë rezerva nën to.

Në zonat që i kalojnë sot Albpetrolit dhe automatikisht nesër, pronarit të tij të ri, janë zona e Kukësit, Pukës, Tropojës, Peshkopisë, Bulqizës, Burrelit, Librazhd, zona e Dumresë, i gjithë qarku i Korçës, qarku i Gjirokastrës, i gjithë qarku i Vlorës përveç Delvinës që i është dhënë aktualisht një kompanie private etj. Për më tepër, në listën C është përfshirë edhe blloku C, i cili kufizohet në veri me Durrësin, në jug me Lushnjën dhe në lindje me Tiranën. Në këtë zonë, Albpetrol ka shpuar disa puse në fund të viteve 80 dhe nga rezultatet ka dalë se nevojitej një teknologji më e përparuar për ta shfrytëzuar.

Deti

Toka nuk është e vetmja hapësirë që pronari i ri i Albpetrol do të marrë nën administrim për 25 vitet e ardhshme. Nga krahasimi i koordinatave të publikuara nga qeveria dhe hartës së Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, del se pjesë e listës C do të jetë edhe deti. Nuk bëhet fjalë për ndonjë hapësirë modeste, por për thuajse 40 për qind të hapësirës detare që ka Shqipëria. Më konkretisht, bëhet fjalë për zonën që fillon nga Shëngjini e deri poshtë në Karaburun. Referuar ndarjes së bërë nga AKBN-ja, pjesët e detit që i kalojnë Albpetrolit janë Zona 1, 2 dhe 3 në det. Midis këtyre zonave dhe territorit tokësor shqiptar janë edhe dy zona të tjera, Joni 5 dhe Durrësi, të cilat i janë dhënë me një kontratë kërkimi një tjetër kompanie të huaj.

Gjatë 12 viteve të fundit, qeveritë kanë dhënë tek privatët nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure të disfavorshme për shtetin vendburimet më të rëndësishme siç është ai i Patos-Marinzës, Kuçova, Ballshi, Visoka etj. Aktualisht, kompania shtetërore e naftës ka nën administrimin e saj vendburimet e naftës në Amonicë dhe Drashovicë të Vlorës, në Zharrës dhe Kallm të Fierit si edhe në Poshnje. Sipas burimeve zyrtare nga METE, vendburime të tjera gazi dhe nafte ndodhen në Ballaj dhe Kryevidh të Kavajës, Divjakë, Frakull, Povelçë, Panaja, Finiq. Në inventarin e Albpetrol gjenden edhe vendburimet e rerërave butiminoze në Kasnicë, Visovë dhe Treblovë. Vendburimet e Ballajt dhe të Kryevidhit në Kavajë, të cilat konfirmohet nga vetë METE që kanë rezerva gazi, bëjnë pjesë pikërisht në listën C që i kalon Albpetrolit, i cili është në pritje të një pronari të ri. Duket se krahas vendburimeve perspektive, qeveria po i kalon privatit edhe këto zona ku është konfirmuar prania e rezervave të gazit të naftës.

Lista C

Zona 1

Librazhd

Pogradec

Përrenjas

Zona 4

Gjirokastër

Përmet

Zona 5

Vlorë

Bregdeti i jonit

Sarandë

Zona 6

Qarku i Korçës

Zona 7

Kukës

Peshkopi

Pukë

Zona 8

Tropojë

Malësi e Madhe

Krumë

Deti

Adriaktiku 1

Adriatiku 2

Adriatiku 3

Veriu i Rodonit

Çfarë do të ndodhë me marrëveshjet e ardhshme hidrokarbure?

Djalli fshihet në detaje. Edhe pazaret me naftën gjatë këtyre viteve janë fshehur pikërisht tek marrëveshjet hidrokarbure të lidhura me kompanitë e naftës, por edhe tek rregullimet ligjore të ngjashme siç ishte kalimi i listës C në inventarin e Albpetrolit në prag të privatizimit. Ekspertët e fushës vlerësojnë se kjo është njëra anë e medaljes, ndërsa pikëpyetja tjetër qëndron në fakti se si do të jetë marrëdhënie shtet-privatizues i Albpetrolit nëse zbulohet se në zonat në fjalë gjenden rezerva nafte dhe gazi, gjë e cila është e konfirmuar në disa prej tyre dhe me perspektivë në disa të tjera. Pyetja që ngrihet është nëse do të ketë të drejtë shteti shqiptar që pasi të gjendet naftë apo gaz në këto hapësira, të mund të japë një tjetër marrëveshje hidrokabure si ajo e Patos-Marinzës përshembull apo do të jetë e drejtë e pronarit të ri të Albpetrol kjo?

Lidhur me listën C të përfshirë si aset i Alpetrolit për të kryer operacione hidrokarbure në prag privatizimi, mendoj se në përgjithësi objektet e përfshira kanë në vetvete riskun e suksesit dhe nuk është e qartë se si do të veprohet më tej në rast se zbulohet një vendburim nafte në këto objekte. Pra, a e ruan të drejtën shteti shqiptar që të lidhë një marrëveshje të re hidrokarbure me Albpetrolin e privatizuar për këtë vendburim të zbuluar pas privatizimit?, – shpjegon Riza Aleti, profesor në Departamentin e Naftës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave.

Për më tepër, sipas tij, dhënia e të drejtës ekskluzive për operacione hidrokarbure në shumicën e territorit të Shqipërisë vetëm Alpetrolit të privatizuar, shmang konkurrencën dhe tenderimin që mund të bëhej në të ardhmen për zgjedhjen e një subjekti optimal që do të kishte këtë drejte. Aleti këmbëngul në faktin se shteti duhet ti vjelë kompanive të huaja që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare, detyrimet nëpërmjet rentës minerare dhe jo tatimit mbi fitimin për të shmangur marifetet që janë duke u kryer aktualisht në këtë drejtim. Është e rëndësishme që çdo marrëveshje hidrokarbure e re që do të lidhet, të bëhet mbi bazën e një rente minerare dhe jo me tatim mbi fitimin, – vijon ai.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›