Përtej mikropolitikës
Shpëtim Idrizi
Pyetja që nuk duhet të harrojmëë kur flasim për Kodin Zgjedhor është: A do të qëndrojmë sërish peng të keqadministrimit zgjedhor në proceset integruese? Nëse sot nuk arrijmë që të tejkalojmë interesat mikropolitike të partive për të krijuar rregulla loje të barabarta për të gjithë, atëherë sërish do të humbasim trenin që na thërret çdo vit për në Bruksel. Dhe të mos ja hedhim fajin Brukselit, fajin e kemi vetë.
Dy janë çështjet kushtetuese të Kodit Zgjedhor dhe them kushtetuese sepse në thelb deri më sot është shkelur me të dyja këmbët fryma e Kushtetutës, nëse jo edhe nenet e sanksionuara në të. Së pari, duhet të heqim dorë nga numërimi manual, ku të punësuarit e partive, militantë me kostum numëruesi, nuk tentojnë të numërojnë votat, por tentojnë që të shtojnë sa më shumë pirgun e votave të partive të tyre. E në fund, do të përfitojnë ndonjë kockë të shpërndarë nga partite e ashtuquajtura të mëdha, që në fakt në këtë drejtim tregohen tejet të vogla.
Në shekullin e XXI zgjidhja është shumë e thjesht, jo më balance të fuqive, që historia ka treguar se është sinonim me dështim të sigurtë, por numërim elektronik, madje mundësisht edhe votim elektronik. Kur them këtë, nuk frigohem për votat e PDIU-së, votat ne dimë ti mbrojmë, por frigohem përsëpari për opinionin e radhës së Komisionit Evropian, që do të ripërsërisë të njëjtat kritika. E për më keq, këto kritika më kujtojnë armiqtë e shqiptarëve, që gjithnjë përdornin argumentin se ne nuk dimë të bëjmë shtet. Jo! Ne dimë dhe ne po ndërtojmë një shtet mirëfilltazi demokratik, ndaj hiqni dorë nga militantonumëruesit.
Së dyti, hiqni dorë nga ky sistem zgjedhor. PDIU ndihet mjaft komode në pikëpamjen elektorale me sistemin aktual zgjedhor, por rreziku që ky sistem sjellë, na bën që ta harrojmë mikropolitikën e të mendojmë për interesin kombëtar. Sistemi aktual zgjedhor rrezikon pluralizmin në vend duke krijuar një polarizim dypartiak dhe eliminon të gjithë ata aktorë që nuk u nënshtrohen dëshirave të tyre. Ky sistem zgjedhor ka prag zgjedhor që shkon në 4 % në qarkun më të madh, që është Tirana, e deri në 20 % në qarqe si Gjirokastra dhe Kukësi. Kjo do të thotë mungesë e barazisë së votës. Për shkak të ndarjes në qarqe, ky sistem ka dëmtuar demokracinë e brendshme në forcat politike, pasi fraksionizimi i njësive zgjedhore bën të pamundur rrezikimin e pushtetit të liderit.
Më keq se gjithë këto, për herë të parë në historinë e shtetit modern, Shqipëria rrezikon të kthehet në tendenca rajonaliste. Kjo, pasi për shkak të sistemit, partitë politike investohen më shumë në ato qarqe ku kanë pritshmëri zgjedhore, duke rrezikuar që të mos kenë degë funksionale në disa qarqe të vendit.
Të gjitha partitë politike kanë nënshkruar një propozim për ndryshimin e këtij sistemi. Aty ndodhen edhe firmat e kreut të mazhorancës dhe të opozitës. Nëse ky propozim nuk kalon, atëherë do të dukej qartaz ose që në krye të forcave të ashtuquajtura të mëdha janë z. Rusmajli dhe z. Gjiknuri, ose që e gjitha kjo është një lojë meskine mikropolitike e krerëve të PD dhe PS. Nuk dua ta besoj këtë të dytën… Kombi shqiptar pret më shumë nga partitë politike. Erdhi koha që ta tregojmë. Hiqni dorë nga mikropolitika dhe përqafoni kombin, interesin e të gjithë shqiptarëve. Dhe të gjithë të jenë të sigurtë, që bashkëkombësit e mi, e vlerësojnë këtë.