Qeveria, krim marrja e inerteve të lumenjve
Qeveria ndalon me ligj marrjen e inerteve nga lumenjtë dhe para se të marrësh lejen për një gurore, më parë duhet të dorëzosh projektin dhe çdo detyrim që do të parashikojë drafti i ri i qeverisë. Në të shkelja do të konsiderohet krim ndaj mjedisit dhe për të parashikohen dhe sanksione të forta. Kryeministri Berisha lajmëroi gjatë mbledhjes së mbrëmshme të qeverisë se me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Shqipëria do të adaptojë një standard të Bashkimit Evropian në qëndrimin ndaj shfrytëzimit të inerteve në lumenj. “Ky standard, - tha Kryeministri, - kërkon që të ndërpritet marrja e inerteve në lumenj nga muaji nëntor deri më 31 maj. Unë personalisht jam dakord me këtë vendim, i cili nuk është se nuk vështirëson në një shkallë të caktuar ndërtimet, por duhet të marrë përparësi të madhe, sepse mbrojtja e shtretërve të lumenjve është domosdoshmëri”. Z. Berisha vuri në dukje se dhënia e lejeve për guroret duhet të shoqërojë këtë vendim, me një kusht që guroret të jepen pasi të kenë dorëzuar me përgjegjësi projektin e rehabilitimit të gurores, që nënkupton shfrytëzim tarracor. “Shfrytëzimi me tarracë edhe ai me kushte që aty të mbijë pema e ullirit, lisit apo pemë tjetër. Së dyti, nuk mund të jenë me fytyrë nga rruga. Ata detyrimisht duhet të ndërtojnë rrugën dhe të dalin në anën tjetër, pasi, nëse shkon në disa qytete, të duket sikur je në shkretëtirë, ashtu siç janë bërë faqet e shkëmbinjve. Ne duhet të ruajmë maksimalisht mjedisin. Edhe pse shfrytëzohen nga ana tjetër e rrugës, edhe ajo duhet të ketë detyrimisht projekt rehabilitimi dhe në përgjegjësi të plotë me kriteret”, - tha z. Berisha. Sipas tij, askush nuk merr leje për guroren pa dorëzuar projektin dhe të gjitha detyrimet. “Përndryshe do të shpallet krim ndaj mjedisit dhe krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda”, - u shpreh Kryeministri i vendit.