Qeveria licencon kompaninë e parë në veri

Është licencuar nga institucionet e Kosovës kompania e parë që operon në pjesën veriore të vendit. Pas shqyrtimit të kërkesës së parashtruar nga PP “Bos-Val” – Zveçan, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, ka miratuar vendimin për licencimin e deponisë për mbeturinat komunale, komerciale dhe mbeturinat e ngjashme me ato komunale.
Kërkesa është parashtruar nga drejtuesi teknik, Milos Markoviq. Ndërkaq, aktiviteti i deponisë do të mbikëqyret nga Zyra Administrative, dhe do të shërbejë si deponi regjionale për nevojat e tri komunave veriore, transmeton KTV.
Në Mars të këtij viti, në takimin e parë zyrtar me ministrin e Mjedisit, Dardan Gashi, shefja e Zyrës Administrative në Veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq, është shprehur e gatshme që nëpërmjet zyrës së saj të bëhet edhe licencimi i deponisë së mbeturinave në Zveçan. Kërkesa ishte refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit ligjor./Indeksonline/