E Diel, 1 Nëntor 2026

Territor i kujt është fshati Karaçevë i Komunës së Kamenicës?

Meqenëse ende nuk është bërë demarkacioni i kufirit me Serbinë ende mbetet dilemë çështja e Karaçevës nëse është pjesë e Republikës së Kosovës. Në hartat kadastrale thuhet se kjo pjesë është brenda territorit të vendit, por ndryshon nga ajo e Marrëveshjes së Kumanovës. Hulumtues të çështjes së sigurisë kanë thënë se nuk është dashur të arrihet Marrëveshja e IBM-it, në rrethana të tilla të padefinuara të brezave kufitarë, transmeton KTV. Territor i kujt është fshati Karaçevë i Komunës së Kamenicës?

Dokumentet kadastrale e njohin këtë fshat si territor të Kosovës, i cili gjeografikisht është mjaft i madh, pavarësisht se kohëve të fundit aty po lëvizin shpesh pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Së paku, kështu, thotë për këtë fshat Kadastra e Kosovës, të cilin edhe banorët e kanë njohur gjithmonë si të tillë.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se ende nuk është bërë demarkacioni i kufirit me Serbinë dhe siguria në rajonin e Karaçevës është përgjegjësi e KFOR-it.

Edhe KFOR-i thotë se fshati Karaçevë është fshat i Kosovës, por lëvizja e xhandarmërisë duhet të bëhet vetëm pasi të merret leja nga KFOR-i.

Nga ana tjetër, Florian Qehaja, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se ekziston mosharmonizimi në mes hartave të Kadastrës, që ekzistojnë në Komunën e Kamenicës dhe një harte, që pretendon ta ketë Qeveria e Serbisë, e cila ka dalë si rezultat i bisedimeve të atëhershme të Ushtrisë jugosllave dhe NATO-s, e njohur si Marrëveshja e Kumanovës.

Sipas tij, fajin kryesor e ka Qeveria e Kosovës,e cila nuk e ka shtruar këtë çështje gjatë bisedimeve për IBM-in, sepse nuk ka asnjë vend në botë, i cili zbaton një marrëveshje me një formacion gjysëmushtarak dhe e tillë, sipas tij, është xhandarmëria serbe.

Sipas tij, diplomacia kosovare duhet të lobojë për t’i vënë kusht Serbisë që ta largojë xhandarmërinë në vijën kufitare me Kosovën, sepse në vend të tyre do të duhej të ishte policia kufitare.

Ndryshe, banorët e fshatit Karaçevë janë shprehur të shqetësuar nga lëvizjet e shpeshta të forcave serbe nëpër fshat./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›