Qeveria mblodhi qëllimisht ujë në hidrocentrale që të eksportonte energjiNga TemaOpozita bëri me dije fakte që implikojnë qeverinë në përmbytjet e ditëve të fundit në Shkodër dhe Lezhë. Deputeti socialist, Erion Braçe, tha se qeveria qëllimisht ka
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Qeveria mblodhi qëllimisht ujë në hidrocentrale që të eksportonte energjiNga TemaOpozita bëri me dije fakte që implikojnë qeverinë në përmbytjet e ditëve të fundit në Shkodër dhe Lezhë.
Deputeti socialist, Erion Braçe, tha se qeveria qëllimisht ka bërë që të grumbullohet më shumë ujë se ç’duhet në hidrocentrale, që të shiste më pas energji, duke mbushur kështu gropat financiare që i janë krijuar asaj. Braçe tha se, sipas të dhënave, OSSH dhe kompania e saj e re, ĈEZ, janë detyruar që të importojnë energji, pasi qeveria ka vijuar të shesë për interes të saj.
Sipas deputetit socialist, “të gjitha të dhënat, që janë zyrtare e publike, dëshmojnë për një vjeshtë e dimër të saponisur në kushte normale, me reshje të trendit të zakonshëm, aspak të jashtëzakonshme në kufij që mund të justifikojë këtë gjëmë.”
Më pas Braçe ka renditur dhe shkaqet pse qeveria është e implikuar në aferë dhe i ka kërkuar prokurorisë që të mos heshtë, siç ka bërë në rastin e shembjes së tunelit të Kalimashit apo në raste të tjera.
“1- E gjendur në situatë të vështirë ekonomike për shkak të të ardhurave të munguara, qeveria vendosi të bëjë biznes me ujin në hidrocentrale për të shpëtuar llogaritë e saj.
2- Prodhimi dhe eksporti i fortë i energjisë elektrike - praktikisht ky është anormal në segmentin krahasues të disa periudhave - është parë si mundësia reale që qeveria të rregullojë llogaritë e saj.
3- Për këtë arsye është stimuluar fort mbledhja e ujit në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, veçmas në Fierzë, hidrocentrali atje, në nëntor e dhjetor, nuk ka punuar thuajse fare në të gjithë agregatet e tij.
4- Ky qëllim i qeverisë, ka detyruar një regjim të fortë importi për OSSH-ĈEZ, import që vijon edhe tani. Por, në mënyrën më të habitshme e gjitha kjo ka ndodhur, kur të paktën Ministria e Ekonomisë ishte në dijeni të gjendjes së vështirë në liqenet e kaskadës së Drinit. 20-30 ditë më herët, në datë 8 nëntor, ministri i Ekonomisë kishte ngritur një komitet të posaçëm për të menaxhuar situatën hidroenergjitike në vend. Dëshmi e fortë se menaxhimi i tillë me regjim importi dhe mbledhje uji në liqene ka qenë i qëllimtë.
5- Menaxhimi i ujit në liqenet e kaskadës së Drinit për qëllime biznesi, duke shkelur çdo ligj, çdo rregullore të administrimit të tyre në fuqi, çdo rregull bazë të sigurisë kombëtare, bëri që në Fierzë qeveria të çonte nivelin e ujit në liqenin e hidrocentralit në mbi 195 m, 5 m mbi nivelin e sigurisë e disa metra të tjerë mbi nivelin e lejuar të periudhës. Dje, ministri i Ekonomisë dëshmoi se, me vetëdije, për 10 ditë, qeveria e ka mbajtur Fierzën në këtë nivel të lartë rreziku që tani po shkakton këtë katastrofë. Fierza vijon të jetë në këtë nivel rreziku, mbi nivelin e sigurisë edhe tani, si prova më e qartë e shkakut të katastrofës dhe menaxhimit kriminal të qeverisë.
6- Paradoksale është, por nga e gjithë kjo katastrofë, nga pikëpamja ekonomike, financiare qeveria po del me fitim. Dy ditë më parë drejtori i KESH i tha medies se paratë që po bënin nga biznesi me ujin përmes eksportit do t’i përdornin për të shlyer kreditë dhe detyrime të tjera ndaj qeverisë.
7- Paligjshmëria dhe shkelja e rregullave të administrimit, sipas dëshmive, është e qartë edhe në gjendjen e gatishmërisë së portave të punës dhe të avarisë në të tre hidrocentralet e Drinit, gjë që rrezikon ta bëjë të pakthyeshme situatën e rrezikut dhe të përhapë zonën e katastrofës edhe më gjerë”, - tha Braçe.
Deputeti socialist në emër të opozitës i ka bërë thirrje banorëve të zonave në rrezik përmbytjeje që të largohen.
“E shoh në sy dhe e ndjej me zemër çdo shqiptar të Shkodrës për të apeluar tek ata: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj! Qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte: Shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentraleve dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë! Po e përsëris: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë, nga rreziku i thyerjes së digave më të mëdha në Shqipëri, vënë nën këtë rrezik nga qeveria e Shqipërisë! Nëse “Gërdeci material” po konsumohet, ju keni në dorë të ndalni “Gërdecin njerëzor”,” - tha Braçe.