Berisha: Fierza mbi nivelin e lejuar, Komani është rreziku më i madhNga TemaDje, me propozim të kryeministrit, Sali Berisha, në një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë u vendos ngritja e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, nën drejtimi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Fierza mbi nivelin e lejuar, Komani është rreziku më i madhNga TemaDje, me propozim të kryeministrit, Sali Berisha, në një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë u vendos ngritja e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. Komiteti do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë.
Duke folur në mbledhje, Berisha u bëri sërish thirrje banorëve të jenë në lartësinë e përgjegjësisë për t’u evakuuar.
Berisha tha se më problematiku është liqeni i Komanit.
“Reshjet kanë bërë që në momente të caktuara prurjet në lumin Drin, të krahasuara me verën e këtij viti, të rriten me 100 herë. Në verë prurjet kanë zbritur në 15 metra kub në sekondë, në këtë periudhë ato arritën në më shumë se 1500 metra kub në sekondë. Por nga këto reshje rritje edhe më të mëdha, që shkojnë në 150 herë, kanë njohur lumenjtë Mat, Valbonë, Curraj, Sharrë dhe degët e tyre. Këto prurje të mëdha bënë që nivelet e liqeneve të rriten me shpejtësi. Në këtë kontekst, më madhori ndër të gjithë, natyrisht, është liqeni i Fierzës, por më problematik për momentin është ai i Komanit. Derdhjet e mëdha në liqenin e Komanit bënë që niveli i tij të rritet me shpejtësi të madhe. Fatkeqësisht, kapaciteti i këtij liqeni midis nivelit minimal eficient të funksionimit të turbinave dhe nivelit maksimal të pranueshëm të rritjes së tij është fare i vogël, gjithsej 6 metra apo realisht më pak, sepse në nivelin 176 kërcënon në mënyrën më serioze turbinat e Fierzës”, - tha Berisha.
Kryeministri tha se kjo situatë ka imponuar shkarkimet. Berisha shtoi se këto shkarkime nuk kanë qenë kërcënuese.
Berisha pranoi se në Fierzë kuotat janë mbi nivelin e sigurisë, por vetëm një metër. “Sot, përveçse në Fierzë, ku kemi një metër ujë më shumë, jemi në kuotat optimale të rregulloreve. Edhe ai metër lartësi në Fierzë do të ulet, por kjo, sërish, nuk mund të na qetësojë. Këto janë mundësitë tona, por kontrolli i prurjeve nuk është mundësia jonë”, - tha kryeministri.
Megjithatë Berisha tha se katastrofa po qëndron mbi kokën e banorëve të atyre zonave.
“Dje, situata në rrafshin e ditës ka qenë kjo që raportova, por potencialisht katastrofa qëndronte dhe qëndron si shpatë e Demokleut. Sepse, së pari, zona e përmbytur nuk mund kurrë të asistohet sikur të ishte jashtë përmbytjes. Ka fëmijë, të sëmurë, gra e të moshuar dhe njëfarë hezitimi i ligjshëm për të pranuar evakuimin. Situata ka ndryshuar dhe unë dua t’i përshëndes banorët e Dajçit. Deri tani nga 950 familje të kërcënuara, 430 janë evakuuar.”
Berisha u dha më pas udhëzime ministrive dhe kërkoi që edhe biznesi të kontribuojë në këtë zonë.
“I bëj sërish një thirrje biznesit, i cili na ka ndihmuar shumë këto ditë, që të vazhdojë solidaritetin në këto zona. Për shembull, dje, një kompani në Ishull të Lezhës, së bashku me ushtrinë, po ndërtonte digën”, - tha Berisha, i cili premtoi dhe kompensim për banorët.
“Unë jam optimist se kjo situatë do të kapërcehet me humbjet me minimale. Qeveria do t’i garantojë fermerët e Dajçit, të Anës Malit dhe kudo që ndodhen se do të jetë pranë tyre dhe me ta, do t’i kompensojë dhe nuk ka vend për dëshpërim, psikozë dhe asgjë tjetër të tillë.”