Qeveria “mbyll” thesin, bllokon udhëtimet e dietat e zyrtarëve

Edhe pse jemi cilësuar jo si vend i cili është prekur nga kriza, vendimi i fundit i qeverisë duket se tregon të kundërtën. Kryeministri Berisha ka rikthyer sërish qeverinë në dietë, duke i pakësuar shpenzimet të paktën për vitin 2012, duke hequr administratës, trajnimet, udhëtimet jashtë vendit, madje duke i ulur edhe kuotën e telefonit. Kështu sipas vendimit të Qeverisë janë bërë këto shkurtime në buxhet:
1. Masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare të reduktohet 20%, për çdo përfitues sipas përcaktimeve të vendimit nr.864, datë 23.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë publikë”.
2. Çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në fund të vitit. Përjashtohen nga ky kufizim vendet e paplotësuara, për të cilat është realizuar konkursi, si dhe raste tepër specifike, për të cilat merret miratimi i ministrit të Financave.
3. Kërkesat për inicimin e akteve të Këshillit të Ministrave për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore pezullohen.
4. Fondi i veçantë, i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nuk përdoret për veprimtari social - kulturore dhe shpërblime deri në datën 5 dhjetor 2012.
5. Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme të reduktohen, nëpërmjet minimizimit të udhëtimeve, përjashtuar ato të një rëndësie të veçantë dhe, vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror. Në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete, për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave.
6. Trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t`u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, bllokohen.
7. Fondet buxhetore të papërdoruara deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset, përfshirë këtu edhe trajnimet e ITAP-it brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t`u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, të reduktohen në masën mbi 50% .