Qeveria miratoi rishikimin e buxhetit të vitit 2013

Qeveria e Kosovës miratoi sot rishikimin e buxhetit të vitit 2013. Në mbledhjen e qeverisë, disa ministra paraqitën kërkesa për mjetë shtesë, që u tha se do të përfshihen në dokumentin që do t’i dorëzohet kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Ndërkohë, kryeministri Thaçi përsëriti se ky është rivlerësim i një buxheti zhvillimor dhe i ngritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Ministri i financave, Besim Beqaj, tha sot se rishikimi i buxhetit të këtij viti, është bërë në përputhje me kërkesat e organizatave buxhetore dhe në harmoni me FMN-në. Ai theksoi se me këtë rishikim nuk ka qenë e mundur të përfshihen projekte të reja që nuk kanë qenë të parapara edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve.
Ministri Beqaj tha se përmbajtja e rishikimit të buxhetit është strukturore dhe se realizimi i buxhetit të këtij viti dhe rishikimi aktual janë një veprim i domosdoshëm për të krijuar një pako shpenzimesh në harmoni të plotë me rregullën fiskale 2014-2016.
Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, kërkoi që në rishikim të ndahen mjete shtesë për rritje të kapaciteteve të ministrisë, pasi Kosova ka hyrë në një fazë të re të relacioneve me BE-në.
“Kërkojmë mjete prej 350 mijë eurosh, për shkak të fillimit të marrëveshjes së MSA-së...”
Ministri i punës Nenad Rashiq kërkoi që në rishikim të përfshihet edhe kërkesa e tyre për kategorinë e transfereve dhe shpenzimeve kapitale. Kurse ministri i arsimit Ramë Buja, kërkoi 2 milionë euro mjete shtesë për hapjen e 3 universiteteve të reja, në Mitrovicë, Gjilan dhe në Gjakovë, që do të fillojnë punën më 1 tetor.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se buxheti trajton me prioritet të gjitha sferat, dhe kërkoi të përfshihen në të edhe kërkesat për integrimet evropiane dhe ajo për arsimin.
“Mendoj se është një rivlerësim i një buxheti zhvillimor dhe i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve por edhe mundësisë për krijimin e vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Thaçi.
Pas miratimit në qeveri, rishikimi i buxhetit i dorëzohet kuvendit për shqyrtim dhe miratim./Indeksonline/