Të ndalohen mbishkrimet nëpër pllaka të shesheve të Prishtinës

Komuna e Prishtinës i bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe Kosovës që të ndalojnë dukurinë e shënimit të mbishkrimeve të ndryshme nëpër pllaka të shesheve të qendrës se qytetit, sepse shënimi i mbishkrimeve të tilla jo vetëm që krijon një pamje të zymtë dhe të shëmtuar për sheshet dhe qytetin në tërësi, por është edhe e kundërligjshme, pasi që po dëmtohet prona publike. Komuna kërkon nga qytetarët, që të kujdesen për hapësirat publike, hapësirat të cilat i kanë dhënë një pamje krejt ndryshe qytetit tonë, hapësira të cilat u kanë krijuar fëmijëve tanë vend ku lirisht mund të lozin dhe prindërve tanë një shëtitore të mrekullueshme.
Komuna i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos vazhdojnë me veprime të tilla, sepse me këso veprimesh po dëmtohet dhe shëmtohet dicka që është ndërtuar me djersen dhe mundin e qytetarëve të Prishtinës. Në rast të kundërt, Komuna do të detyrohet që të ndërmarr masa ligjore ndaj gjithë atyre që kapen duke bërë veprime të tilla.
Komuna e Prishtinës, i bënë thirrje të gjitha organeve të rendit të Republikës së Kosovës, që të marrin masa dhe mos të lejojnë vendosjen e mbishkrimeve dhe pamfleteve të njerëzve të estradës, nëpër sheshe, hapësira publike dhe shtylla të ndryshme elektrike.
Komuna, i njofton të gjithë qytetarët dhe pronarët anonim të mediumit “Gazeta Ditore” se do të inicioj padi penale ndaj këtij mediumi për dëmtim të pronës publike, pasi që ky medium në mënyrë të paligjshme ka bërë vendosjen e mbishkrimeve nëpër pllakat e shesheve të qëndresë e qytetit. Komuna i bënë thirrje pronarëve të mediumit “Gazeta Ditore” që brenda një afati sa me të shkurtër të bëjë fshirjen e të gjitha mbishkrimeve në pllaka./Indeksonline/