Qeveria miraton Udhëzimin për regjistrimin e objekteve të ndërtuara me leje ndërtimi, në Bashkinë e Tiranës
- Rregullore bën të mundur që të pajisen me leje shfrytëzimi pallate, ndërtime, të cilat, në total, vetëm me detyrimet e tyre çlirojnë një kapital e kontribuojnë me rreth 700-800 milion euro.
- Udhëzimi përmbush një aspekt më madhor moral, një premtimi të dhënë nga kryetari aktual i bashkisë.
Këshilli i Ministrave miratoi sot Udhëzimin “Për procedurat e regjistrimit të objekteve të ndërtuara me leje ndërtimi, të prapambetura, në Bashkinë e Tiranës, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.”
Udhëzimi është hartuar mbi Memorandumin e përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe Bashkisë së Tiranës.
Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë udhëzim, tha se ai i jep zgjidhje një problemi të madh për rreth 400 pallateve dhe ndërtime në kryeqytet me këtë problematikë, duke i pajisur me leje shfrytëzimi dhe zhbllokon, vetëm me detyrimet fiskale, një kapital rreth 700-800 milion euro, por gjithashtu, në aspektin moral, si përmbushje e një premtimi të dhënë nga kryetari aktual i bashkisë.
Lidhur me këtë, Kryeministri u shpreh:
“Sot, ne miratojmë një udhëzim të hartuar mbi bazën e një memorandumi, të firmosur nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Bashkia e Tiranës, për të shndërruar në realitet një premtim madhor që kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës u bëri qytetarëve të Tiranës, për zhbllokimin e lejeve të shfrytëzimit, ‘de facto’ për zhbllokimin e një kapitali pa jetë, për shkak të burokracisë së deritanishme dhe të praktikave të papranueshme të ndjekura nga bashkia e mëparshme.
Grupi i punës që ka hartuar këtë udhëzim ka marrë parasysh të gjitha kategoritë e problemeve dhe sipas kategorisë, rregullorja ofron dhe zgjidhjet. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse me këtë rregullore bëhet e mundur që të pajisen me leje shfrytëzimi pallate, ndërtime, të cilat, në total, vetëm me detyrimet e tyre çlirojnë një kapital e kontribuojnë me rreth 700-800 milion euro. Dhe ky është vetëm detyrimi i tyre fiskal, i bllokuar për shkak të burokracisë dhe po të kemi parasysh efektin kolateral të tyre, leverdia është 4 herë më e madhe. Natyrisht, kemi të bëjmë edhe me një aspekt më madhor moral, një premtim i dhënë, duhet mbajtur.
Unë dua të përgëzoj të gjithë ekipin që me një punë dhe përkushtim të veçantë bëri të mundur hartimin këtij udhëzimi që i jep përgjigje të plotë e përfundimtare çështjes së pallateve dhe shtesave, që arrijnë në mbi 400 në kryeqytetin e vendit, por kjo është e vlefshme për të gjitha bashkitë e vendit, ku kanë raste analoge, megjithëse ato nuk kanë, pasi kanë vepruar me një përshtatje më të madhe me ligjin, sesa Tirana.”
05/10/2011