E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë marrin pjesë në pritjen me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë

4 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi ishin të pranishëm sot pasdite në pritjen festive të dhënë nga Ambasadori Aleksandër Arvizu me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Pasi u përshëndet përzemërsisht me Ambasadorin amerikan Arvizu, me të cilin patën edhe një takim të veçantë paraprak, Presidenti Topi iu drejtua të ftuarve dhe të pranishmëve të shumtë me një fjalë të shkurtër përshëndetëse:

“I nderuar Ambasador Arvizu,
Zonja Kryetare e Kuvendit,
Zoti Kryeministër,
Zoti Zëvendëskryeministër,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Zotërinj Moisiu dhe Meidani,
Përfaqësues të Bashkësive Fetare Shqiptare,
Zonja dhe Zotërinj!

Është një privilegj dhe një emocion i veçantë të kem rastin të përshëndes festimin e njëzetvjetorit të rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Pak minuta më parë, në një takim në një rreth të ngushtë, i thashë Ambasadorit Arvizu që lajmi për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara erdhi në pranverën e vitit 1991. Koinçidenca ishte shumë e bukur: nuk ishte vetëm stina e pranverës, por në të vërtetë ishte pranvera e demokracisë shqiptare që rilindte. I paharruar mbetet qershori i vitit 1991, ku si dëshmitarë okularë, si qytetarë të thjeshtë në Sheshin kryesor të Tiranës përjetuam një pritje madhështore e të paparë ndonjëherë në atë shesh. Ajo pritje iu rezervua Sekretarit të Shtetit, zoti Bejker, përfaqësuesit më të lartë i Shteteve të Bashkuara që kishte vizituar ndonjëherë Shqipërinë. Thirrja e tij biblike “Liria funksionon” u pasua nga një reflektim që vinte nga mjedisi i ekzaltuar se shpresa po rilindte.

Tetori i vitit 1991 shënoi rivendosjen e marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, marrëdhënie të cilat kishin shënuar kulmin e tyre në fillim të shekullit XX në prag të pavarësisë së Shqipërisë, pastaj me rilindjen e demokracisë në Shqipëri dhe më vonë u pasuan me pavarësinë e Kosovës dhe me hyrjen e Shqipërisë si anëtarja më e re e Aleancës më të madhe për paqen dhe sigurinë në botë.

Ambasador Arvizu, ne u jemi shumë mirënjohës qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për gjithçka që ato kanë bërë në historinë e trazuar të Shqipërisë gjatë dekadave! Ne ju jemi mirënjohës për gjithçka keni bërë për rilindjen e demokracisë dhe forcimin e institucioneve shqiptare. Ne u jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë perëndimorë, por askush më shumë se ju nuk ka punuar dhe po punon në Shqipëri siç keni bërë ju për forcimin e standardeve të demokracisë funksionale. Është një nder i madh për ne që të jemi bashkudhëtarë besnikë me ju kudo, në çdo mision, aty ku ka nevojë të rivendoset paqja dhe siguria në botë. Ne jemi aleatë modestë, por jemi aleatë të sigurtë.

Është privilegj për mua si President që të shpreh pikërisht atë që e shpreh çdo forcë politike në Shqipëri, që e shpreh çdo individ në publik, që e shpreh çdo qytetar shqiptar: admirimin dhe respektin e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqipërinë dhe popullin shqiptar e presin suksese të reja. Përveç anëtarësimit në NATO, ne presim të shkojmë në Bashkimin Evropian. Pavarësisht vështirësive të çastit, ato janë të gjitha vështirësi të kapërcyeshme. Ajo është e vetmja rrugë që Shqipëria dëshiron të bëjë dhe jam i bindur që do ta bëjë. Ajo është vetëm çështje kohe, madje e një kohe shumë të shkurtër.

Pa u zgjatur shumë në këtë përshëndetje, më lejoni t’ju falenderoj për gjithçka! Të falenderoj të gjithë Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët i kanë dhënë ndihmë të drejpërdrejtë Shqipërisë! Nga kjo ceremoni shumë kuptimplotë, dëshiroj të dërgoj përshëndetjet më të mira për Presidentin Obama, me dëshirën që ta shikojmë në një vizitë të tij në Shqipëri! Urimet më të mira! Zoti e bekoftë këtë marrëdhënie kaq të fortë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›