Qeveria miraton programin “Pas shkolle”, mësuesit dhe profesionistët mund të aplikojnë si trajnues

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar organizimin dhe zhvillimin e programit “Pas shkolle”, kategoritë, kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së trajnuesve, shpërblimin e tyre, si dhe mënyrën e financimit të këtij programi.
Ky vendim u miratua në mbështetje të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit.
Programi “Pas shkolle” do të zhvillohet jashtë orarit të mësimit të detyruar dhe ka për qëllim përforcimin e të nxënit, si dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të aftësive edukative, sociale, sportive, kulturore dhe krijuese të nxënësve.
Sipas vendimit, programi do të zbatohet për nxënësit e regjistruar në institucionet arsimore parauniversitare publike të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë.
Për veprimtaritë që lidhen me mbështetjen dhe përforcimin e të nxënit, trajnuesit do të përzgjidhen nga disa kategori, ku përfshihen mësuesit e punësuar në institucionet arsimore publike, individët që plotësojnë kriteret për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe janë në listë pritjeje pas konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, ish-mësuesit në pension, si dhe individë të diplomuar në fushën e mësuesisë ose fusha të përafërta.
Për zhvillimin e aftësive artistike, kulturore, krijuese dhe praktike të nxënësve, programi do të realizohet nga mësues të profileve artistike, individë të kualifikuar në këto fusha, profesionistë të arteve, si dhe bartës të zejeve e mjeshtërive tradicionale të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose në Regjistrin e Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale.
Programi synon të krijojë më shumë mundësi për nxënësit për të zhvilluar njohuritë, aftësitë praktike dhe kompetencat sociale përmes aktiviteteve edukative, kulturore dhe krijuese pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton gjithashtu kriteret e përzgjedhjes, shpërblimin e trajnuesve dhe mënyrën e financimit të programit.
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar do të shpallë në faqen e saj zyrtare thirrjen për aplikim për kandidatët që duan të angazhohen si trajnues në programin “Pas shkolle”.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për organizimin dhe zhvillimin e këtij programi, kandidatët do të kenë në dispozicion një afat prej 10 ditësh nga data e publikimit të shpalljes për të paraqitur aplikimet e tyre.
Mësuesit që ushtrojnë profesionin në institucionet arsimore parauniversitare publike do të aplikojnë përmes Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), ndërsa kandidatët që plotësojnë kriteret për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe janë në listë pritjeje pas konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të aplikojnë përmes shërbimit elektronik “Aplikim për konkurrim për punësim” në portalin “e-Albania”.
Kandidatët e kategorive të tjera të përcaktuara në vendim do të dorëzojnë dosjen e aplikimit pranë zyrës vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP), nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni arsimor ku do të zhvillohet programi.
Të dhënat elektronike të dosjeve të aplikantëve që bëjnë pjesë në kategoritë e mësuesve dhe kandidatëve të regjistruar në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të sigurohen përmes ndërveprimit të sistemeve përkatëse, përkatësisht nga SMIP-ja ose portali i konkurrimit.
Për kategoritë e tjera të trajnuesve, aplikimi do të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Për vitin shkollor 2026-2027, kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “Pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, kryhet në rrugë elektronike.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare publike.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/j.p/r.e/