Pezullohen punimet e ndërtimit në zonat turistike deri më 15 shtator

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe të aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike gjatë sezonit turistik 2026, me qëllim garantimin e zhvillimit të qetë të tij.
Sipas vendimit të qeverisë periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.
Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to. Gjithashtu do të ndalohen punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve, si edhe punimet që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.
Nga ky pezullim përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që janë të pajisura me lejet përkatëse dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.
Këto punime do të lejohen të kryhen në fashën orare 08:00–17:00. Përjashtim bëhet edhe për ngritjen ose sistemimin e kantiereve sipas legjislacionit në fuqi.
Vendimi parashikon se periudha e pezullimit do të llogaritet si afat shtesë mbi afatin e lejes së ndërtimit, zhvillimit apo lejes së ushtrimit të aktivitetit për subjektet që kanë marrë ose do të marrin leje pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Zonat ku do të zbatohet pezullimi përfshijnë brezin bregdetar, sipas përcaktimeve të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, qendrat historike, zonat e mbrojtura me funksion turistik dhe qendrat urbane turistike.
Zona të tjera me fluks të lartë turistësh gjatë sezonit do të përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.
Pezullimi do të zbatohet edhe për aktivitetet e lidhura me ndërtimin jashtë këtyre zonave, në rastet kur, për shkak të natyrës, vendndodhjes ose mënyrës së ushtrimit të tyre, ato ndikojnë ose mund të ndikojnë në zhvillimin normal të aktivitetit turistik, duke shkaktuar zhurmë, pluhur, ndotje apo efekte të ngjashme.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, strukturat inspektuese vendore, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/j.p/r.e/