Qeveria miraton rregullin e ri per pullat fiskale

Projekti nuk lidhet vetëm me pullat e reja, por edhe me sigurinë që do të ofrohet për shmangien e kontrabandës.
Ministria e Financave gjykon se pulla e re fiskale ul evazionin fiskal dhe garanton më shumë të ardhura për buxhetin, kurse kompanitë private që do t’i nënshtrohen rregullit të ri anohen për kostot shtesë, pasi në fabrikat e prodhimit do të instalohen aparate enkas për kodin e ri të sigurisë.
Sipas vendimit të djeshëm, do të pajisen me pullë akcize produktet e treguara si birrë, verë, alkool, pije alkoolike dhe duhani e nënproduktet e tij, duke përjashtuar birrën e prodhuar në vend, kur kërkohet pajisja me kodin e sigurisë.
Në listën e mallrave që do t’i futen skemës se re janë edhe ilaçet, por ndryshe nga të tjerat procedurat e pullës së re fiskale do të jenë të veçanta.
Kod i sigurisë do të thotë një shenjë direkte që aplikohet ekskluzivisht për produktet e birrës që prodhohen në Shqipëri nga prodhuesit në shkallë të madhe, që prodhojnë 500 000 ose më shumë produkte birrë në vit, duke përdorur linjat e prodhimit për të cilat përpunimi i plotë, nga mbushja te paketimi, është i automatizuar dhe të cilat prodhojnë 4 000 ose më shumë produkte birrë në orë.
Kodi i sigurisë trajtohet si dokument me vlerë dhe është monopol shteti. Çmimi (duke përjashtuar TVSH-në dhe çdo taksë tjetër apo detyrim për pullat e aplikueshme, sipas ligjit në Shqipëri), për çdo pullë fiskale të prodhuar dhe të shpërndarë nga një koncesionar i autorizuar nga qeveria për të lëshuar, shpërndarë dhe monitoruar pullat fiskale, është tashmë i përcaktuar, dhe varion nga 20 deri në 33 euro për një mijë copë.
Në rastin kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve udhëzon koncesionerin të dërgojë pullat fiskale drejtpërdrejt te furnizuesi i huaj i mallrave, që janë subjekt i akcizës, në një adresë të treguar nga importuesi dhe të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, importuesit do të jenë përgjegjës për transportin, gjurmimin e ngarkesës dhe dorëzimin e duhur të pullave fiskale te furnitori i huaj, për zbatimin e duhur të pullave fiskale mbi produktet, si dhe shpenzimet që lidhen me ngarkesën (duke përfshirë, por jo vetëm, shpenzimet e lidhura me trajtimin, taksat e importit, detyrimet, sigurinë dhe sigurimet etj).
Pagesa e akcizës do të kryhet veçmas nga prodhuesit dhe importuesit. Detyrimet që rrjedhin nga TVSH-ja apo taksa të tjera që janë të pagueshme lidhur me pullat fiskale, të prodhuara dhe të shpërndara nga koncesioneri, do të mbulohen nga prodhuesit apo importuesit që blejnë pullat fiskale.