Parate e grekeve fluturojne drejt Zvicres

Shumica dërmuese e këtyre parave kanë prejardhje të dyshimtë, ndërsa depozituesit nuk i kanë deklaruar këto të ardhura në Greqi.
Bëhet fjalë për depozita në para kesh, monedha floriri, tituj bankarë, madje dhe diamante.
Pronarët e llogarive bankare në fjalë nuk kanë paguar asnjë tatim për shumat e derdhura, madje në Greqi shumë prej tyre janë vetëdeklaruar në limitin e varfërisë.
Organet greke të krimit ekonomik kanë konstatuar disa raste depozitash prej punonjësve të sektorit shtetëror, deputetësh dhe biznesmenësh.
Rastet e politikanëve të implikuar në aferë do t’i dërgohen drejtësisë.
Prestigjiozja gjermane “Der Spiegel” përmend çështjet flagrante të dy ish-ministrave grekë, që nga hetimet e prokurorisë së Mynihut rezultoi të kishin përfituar miliona euro në këmbim të dhënies së tenderave dy kompanive gjermane.
Lajmi i publikuar nga gazeta gjermane konfirmohet edhe nga burimet qeveritare greke.
Sipas saj, problemi i depozitave greke në Zvicër është diskutuar në një takim që ka pasur Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, me Presidentin zviceran në Davos pak ditë më parë.
Kjo është hera e parë që Zvicra pranon të japë informacione lidhur me depozituesit e parave në bankat e saj.