Qeveria miraton shpronësimin për projektin e rrugës “Hasan Bakiu” në Tiranë

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme private që preken nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i rrugës ‘Hasan Bakiu’”, në territorin e bashkisë Tiranë.
Vendimi parashikon që shpronësimi të kryhet në favor të bashkisë Tiranë, ndërsa pronarët e pasurive privatë do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të përcaktuar në tabelën bashkëlidhur vendimit.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 20 359 036,80 lekë, ndërsa shpenzimet procedurale përllogariten në 70 000 lekë. Të dyja këto shuma do të përballohen nga bashkia Tiranë.
Sipas vendimit, procesi i shpronësimit do të nisë menjëherë pas botimit të aktit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e tij. Pronarët do të kompensohen pasi të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë bashkisë Tiranë.
Gjithashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, do të nisë brenda 30 ditëve procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të bashkisë Tiranë. Deri në përfundim të këtij procesi, do të pezullohen të gjitha transaksionet me pasuritë që preken nga projekti.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.
/a.f/r.e/