E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin për lejimin e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit

Qeveria miratoi sot vendimin për disa ndryshime në ligjin për “Për legalimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Kryeministri Berisha u shpreh se këto ndërhyrje në ligjin e legalizimeve bëhen  në përputhje me premtimin elektoral, për të lejuar përdorimin e letrave me vlerë, në pagesën e ndërtimeve që do të legalizohen. “Lidhur me letrat me vlerë, pas një analize shumë serioze të juristëve, ata mendojnë se duhet të ndërhyhet patjetër në ligjin e legalizimeve, pasi ky ligj ka të përcaktuar që pagesa bëhet në lekë. Kështu që duhet të ndërhyjmë në ligj, në përputhje me premtimin e bërë. 80 përqind të vlerës të të gjithë sipërfaqes që i takon në përputhje me ligjin do ta paguajnë me letra me vlerë.”

Kryeministri sqaroi se për sipërfaqet jashtëligjore, që ligji e parashikon me vlerë tregu, 50 % e tyre do të paguhen me letra me vlerë. “Në qoftë se një personi i takon të legalizojë banesën dhe 300 m2 në përputhje me ligjin, ai 80 për qind do t’i ketë, pra, ashtu siç janë përcaktimet ligjore. Sipërfaqja ekstra, që është jashtë parashikimit ligjor të procesit të legalizimit dhe që është parashikuar të paguhet me vlerën e tregut, do të jetë 50 me 50.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri  tha se gjithashtu qeveria ul  në masën 0.5 %  të vlerës së banesës për legalizim, taksën e infrastrukturës “Është bërë dhe një ndërhyrje jashtëzakonisht e domosdoshme për procesin e legalizimit, është ulur taksa e infrastrukturës. Duke qenë se ky është një proces masiv është vendosur që kjo taksë të jetë 0.5 % e vlerës së banesës për legalizim.”


08/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›