E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndërron strategjinë e financimit të borxhit

Në tremujorin e tretë janë emetuar vetëm obligacione 2-vjeçare, dhe rritja e portofolit të letrave me vlerë të qeverisë të sistemit bankar është bërë me investime në këtë instrument. Banka e Shqipërisë shpjegon se, qeveria e ka parë të arsyeshme financimin e deficitit me borxh afatgjatë, duke shfrytëzuar likuiditetin e bollshëm të sistemit bankar. Interesi për obligacionet 2-vjeçare është rritur në 8.84%. Në këtë nivel, interesi konkurron edhe interesin e eurobondit të marrë në tregun e huaj këtë vit nga qeveria, interesi i të cilit ishte 7.5 për qind në monedhën euro në momentin e emetimit dhe tani po tregtohen nga bankat që e kanë blerë me humbje me një interes mbi 12 për qind. Ulja e interesit të bonove të thesarit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e interesave të kredive në lekë. Kur normat e interesit ulen, huamarrja bëhet më atraktive. Kur në tregun bankar ekzistojnë norma të ulëta interesi, konsumatorët e kanë më të lehtë të blejnë një makinë apo një shtëpi. Blerja e një shtëpie rrit kërkesën për mallra të tjerë si mobilie, pajisje elektrike, duke i dhënë kështu një shtysë rritjes ekonomike. Për më tepër, konsumatorët shpenzojnë më pak në kostot e interesit, duke u dhënë mundësi atyre të kenë më shumë para për të shpenzuar në mallra dhe shërbime. Qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme, për të financuar borxhin e saj të brendshëm. Huamarrja nga publiku ndryshe do të kuptohej si shitja e letrave me vlerë të qeverisë, publikut. Aktualisht, qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2-, 3- dhe 5-vjeçare. Si për çdo borxh të kërkuar, për të cilin paguhen interesa, edhe qeveria paguan interesa për këtë borxh. Por, ajo kërkon që këto interesa të jenë sa më të ulëta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›