E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët, të ndalohet urgjent vjedhja e energjisë

Ish-zv.ministri i Energjetikës, Pajtim Bello, tha se në Shqipëri ende një pjesë e mirë e energjisë vidhet dhe nuk faturohet. Dhe këto quhen humbje në rrjet, që shkojnë në nivelin 40 për qind. Kurse nga energjia e faturuar arkëtohet vetëm 70 për qind.

Në një kohë kur prodhimi i energjisë në vend po shkon drejt fundit dhe çmimet e importit po rriten përditë, ekspertët e sektorit energjetik apelojnë për një vëmendje maksimale dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për normalizimin afatgjatë të situatës. Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, Dojçe Vele, mendon se nuk duhet “të mbetet vetëm në letër” synimi dhe objektivi i autoriteteve për ta trajtuar si prioritet sektorin energjetik. Riciklimi i krizave, kur në një periudhë përmbyten HEC-et, dhe në një periudhë të tjetër uji ulet në kuotën kritike që bllokon prodhimin e energjisë, tregon mungesë vizioni nga qeveria, thotë Bello për DW. “Në radhë të parë duhet zgjidhur përdorimi me eficencë i energjisë. Në Shqipëri ende një pjesë e mirë e energjisë vidhet dhe nuk faturohet. Dhe këto quhen humbje në rrjet, që shkojnë në nivelin 40 për qind. Kurse nga energjia e faturuar arkëtohet vetëm 70 për qind. Kur të zgjidhim këtë problem, ne do të zgjidhim dhe të tjerat që vijnë një pas një. Një çështje tjetër është respektimi i interkonjuksioneve në rrjet, pra kombinimi i eksportit dhe importit me periudhat kur ka reshje dhe ka eksport dhe kur ka thatësirë dhe duhet importuar. Kjo ka efekt kur sistemi menaxhohet teknikisht dhe jo politikisht. Pajtim Bello shikon si një investim të sigurt orientimin drejt tregjeve rajonale të energjisë, me anë të të cilit realizohen shkëmbime në interes reciprok dhe nuk ndihen oshilacionet e kapriçiove të natyrës. Kjo, sipas tij, është dhe eliminim apo reduktim i shpenzimeve të larta që bien në kurriz të ekonomisë shqiptare. Për mendimin tim, një nga rrugëzgjidhjet e qarta afatgjata është ndërtimi i linjës së interkonjuksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë e Kosovës, thotë Bello për DW. “Për mua është prioritar, sepse krijon mundësinë e një sistemi komplementar: prodhim me termo dhe prodhim me ujë”. Sipas Bellos, autoritetet zyrtare duhet të nisin sa më parë materializim e këtij projekti mes dy vendeve, që pas realizmit do të ndikojë shumë pozitivisht jo vetëm në sistemin energjetik të tyre, por dhe të vendeve të tjera të rajonit tonë. Importi aktualisht është në parametra të ndryshëm po të krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke qenë se të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit janë duke kërkuar të importojnë, pasi dhe ato janë në vështirësi prodhimi, atëherë për ekspertët e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, blerja e energjisë ka kosto shumë të lartë. Për të mbuluar këtë shpenzim të tepërt, duke mos rrezikuar plotësimin e nevojave që vendi ka për energjinë elektrike, qeveria shqiptare ka mbështetur financiarisht KESH-in për importin e dy muajve të fundit të vitit 2011 me një fond shtesë që shkon në afër 4.3 milionë euro. Importi ditor i Shqipërisë kap një vlerë mesatare në 16.4 milion kilovat/orë, niveli më i lartë në 4 vitet e fundit. Por nëse në vijim të sezonit të dimrit dhe në pranverë do të vijojë të mbisundojë thatësira, atëherë kjo do të thotë se KESH do të ketë nevojë për një kompensim disa herë më të madh nga arka e shtetit shqiptar. Mungesa e kushteve atmosferike të përshtatshme koincidon dhe me një valë ankesash që ka KESH për mosshlyerje ndaj saj të detyrimeve financiare nga ana e kompanisë çeke CEZ, që menaxhon shpërndarjen e energjisë në tregun shqiptar. Nga ana e vet CEZ-i është po kritik se një listë e gjatë debitorësh, mes tyre dhe institucione shtetërore, nuk po e likuidojnë një borxh prej disa dhjetëra milionë eurosh në dëm të kompanisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›