E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, bien interesat e borxhit të Shqipërisë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 05-12-2011 12:58

Kurba e interesit të borxhit të qeverisë shënoi nivelin më të ulët të vitit në ankandin e fundit. Interesi i bonove të thesarit 12-mujore arriti në 7.1 për qind, nga më shumë se 7.4 dhe 7.6 që ka qenë në ankandet e mëparshme

Në një kohë që qeveritë janë duke përjetuar interesa të larta të financimit të borxhit, qeverisë shqiptare i kanë rënë interesat. Në ankandin e fundit të bonove të thesarit, interesi i bonove 12-mujore arriti në 7.1 për qind, nga më shumë se 7.4 dhe 7.6 që ka qenë në ankandet e mëparshme. Lehtësimi i kostos së borxhit, sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, po vjen për katër arsye. E para lidhet me ndryshimin e strategjisë për financimin e borxhit. E dyta me likuiditetin e bollshëm të sistemit bankar; e treta lidhet me rënien e kërkesës së qeverisë për borxh, dhe arsyeja e katërt, me politikën lehtësuese që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë me uljen e normës bazë të interesit për lekun. Duke qenë se qeveria e ka konsumuar pjesën e deficitit buxhetor pothuajse gjatë gjashtëmujorit, kërkesa për financimin e borxhit ka rënë dhe, për rrjedhojë, edhe normat e interesit. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë në vend kanë mbyllur “rubinetin” e kredive, duke pasur kështu likuiditete të lira, të cilat i kanë ofruar për blerjen e borxhit të qeverisë duke sjellë kështu edhe rënien e normës së interesit. Deficiti buxhetor gjatë 9-mujorit është financuar kryesisht nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë me afat maturimi mbi një vit. Edhe gjatë këtij viti buxhetor politika e huamarrjes së qeverisë është orientuar drejt instrumenteve afatgjata të borxhit, duke qenë një faktor kyç në uljen e kostos së huamarrjes së brendshme. Politika e zgjatjes së maturitetit të borxhit të brendshëm ka

qenë më shumë e pranishme në tremujorin e tretë të vitit, si pasojë e së cilës një pjesë e borxhit të qeverisë në bono thesari 6-mujore është zëvendësuar nga obligacione të maturiteteve të ndryshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e interesave të letrave me vlerë të tregtuara në tregun primar është përcaktuar kryesisht nga strategjia e financimit të deficitit buxhetor. Në tremujorin e tretë të vitit 2011, emetimet e bonove të thesarit janë ulur dhe financimi i deficitit është bërë kryesisht me obligacione. Në të njëjtën kohë, presionet për likuiditet kanë qenë të ulëta, reflektuar kjo në raportin bid/cover prej mbi 100%. Interesat e bonove të thesarit janë rritur gradualisht deri në fund të qershorit dhe janë përcaktuar në atë nivel pothuajse të pandryshuar në vijim të tremujorit të tretë, ndërkohë që ato për obligacione kanë vazhduar të rriten. Rritja e interesave të bonove të thesarit ka vazhduar deri në muajin qershor për të gjitha maturitetet. Prej muajit korrik, me reduktimin e emetimeve të bonove të thesarit, niveli i interesave ka mbetur i pandryshuar për maturitetin 12-mujor dhe ka pësuar një ulje të lehtë për dy maturitetet e tjera. Likuiditeti i mjaftueshëm dhe ulja e kërkesës për këtë instrument nuk kanë ndikuar në presione rënëse të normës së kthimit; interesi i bonove 12-mujore nga 7.67% në fund të tremujorit të tretë, ndërsa ulja e normës bazë të interesit me 25 pikë bazë në fund të muajit shtator është përcjellë në ankandin e radhës të bonove të thesarit, ku interesi 12-mujor ra me 17 pikë bazë, në 7.50%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›