Qeveria në pikë të hallit: Do heqim dorë nga rrugët, do blejmë energji
Shtatë vjet në pushtet të mbushura me deklarime se jemi superfuqi energjetike dhe me qindra vendime për koncesione hidrocentralesh nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Tani qeveria shet hidrocentralet e komunizmit dhe pretendon se do hedhë në erë buxhetin vetëm për të mos mbetur pa drita në këtë vit elektoral për të
Agjencia e lajmeve Reuters i ka kushtuar vëmendje situatës së rënduar energjetike në Shqipëri. Ajo citon deklaratat e kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë se kjo është situata energjetike më e vështirë në historinë e vendit. Ka disa kohë që të gjitha vështirësitë historike po i mban mbi shpinë kjo qeveri. Dimri i ftohtë ka rritur ndjeshëm shpenzimin e energjisë, ndërkohë që vetëm gjysma e energjisë që konsumohet vjen nga prodhimi vendas. Në këto kushte, qeveria pritet që të rishikojë buxhetin, edhe pse ka pak kohë që e ka miratuar. Ministri i Energjisë, Nasip Naço, thotë se qeveria do të shkurtojë investimet në rrugë për të mbledhur para për të blerë energjinë e nevojshme. Berisha është zotuar se në vend nuk do mundojë asnjë minutë energjia. Po ashtu, sipas Naços, pritet që të vihet në punë TEC-i i Vlorës, që prodhon energji me një kosto jashtëzakonisht të lartë. Edhe pse ka shtatë vjet që u thotë shqiptarëve se e ka bërë Shqipërinë superfuqi energjetike në rajon, sërish Shqipëria është në pikë të hallit. Ajo ka nxjerrë në shitje hidrocentralet e saj, ndërkohë që lumi i koncesioneve që janë dhënë për hidrocentrale ka rezultuar një zhgënjim total. Vjet në dhjetor qeveria autorizoi KESH-in të merrte borxh 32.6 milion euro për blerjen e energjisë. Në një vit thuajse elektoral për qeverinë, mungesa e energjisë do ishte shumë dëmtuese për imazhin e saj. Po ashtu do jetë shumë dëmtuese për të edhe heqja dorë nga investimet në rrugë. E ndodhur mes dy zjarreve, qeveria mund të hedhë në erë përfundimisht buxhetin, duke luajtur kartën: të gjitha ose asnjë.