E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Ish të dënuarit politikë të dëmshpërblehen para zgjedhjeve

Partia Demokristiane shpreh shqetësimin e saj për qëndrimet përjashtuese dhe mungesën e mbështetjes për shtresën e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist. Me anë të sekretarit të saj politik, Lazer Stani, PDK ka denoncuar faktin se edhe pse 3 vjet në qeverisje kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë dhe nuk ka parashikuar asnjë fond në buxhet për dëmshpërblimin e kësaj shtrese në përputhje me ligjin e miratuar nga Kuvendi për këtë çështje. “Ne e vlerësojmë cinik, demagogjik dhe të papranueshëm projektin e bërë publik nga Ministria e Financave, sipas të cilit ish-të dënuarit politikë do të dëmshpërblehen respektivisht me nga dhjetë milionë dollarë në vit, në periudhën 2009 – 2011. Ne gjykojmë se pasi dëmshpërblimi i ish-të dënuarve politikë u la në harresë të plotë për tre vjet, qeveria nëpërmjet këtij projekti demagogjik, kërkon të manipulojë sërish më shtresën e ish-të dënuarve politikë në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. PDK nuk mund të pranojë që dëmshpërblimi i ish-të dënuarve politikë t’i lihet si detyrë e pakryer qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare”- tha sekretari demokristian Lazer Stani. PDK gjykon se, përveç dëmshpërblimit financiar për vitet e vuajtjes së padrejtë, mazhoranca e djathtë duhet të investojë më shumë për integrimin e plotë të kësaj shtrese në jetën politike dhe publike. “Eshtë rasti të kujtojmë se edhe i vetmi ministër që vinte nga kjo shtresë, kryetari i PDK-së z.Nard Ndoka u largua nga qeverisja pas asnjë argument dhe në shkelje të hapur të marrëveshjes së nënshkruar midis partisë tonë dhe PD-së”, - tha Stani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›