E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ok kredisë për bulevardin e Lanën. Berisha: Partitë të mbulojnë shpenzimet për fushatën

Përballë presionit të kohës së limituar të parlamentit, kabineti qeveritar në mbledhjen e së mërkurës me akt normativ ka dekretuar kredinë e marrë nga Emiratet e Bashkuara Arabe për nisjen e punimeve të bulevardit të ri të kryeqytetit dhe rehabilitimin e lumit të Lanës. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij e konsideroi ndërtimin e këtij projekti si zhvillimin më të rëndësishëm të 8-9 viteve të fundit për Tiranën dhe qytetarët e saj.

Për efekte të veprimtarisë së parlamentit me akt normativ u dekretua kredia e Emirateve të Bashkuara Arabe prej 64 mln dollarë me interes të butë, të leverdishëm shumë, për Tiranën e këtij shekulli, bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Përdorëm aktin normativ për kohën shumë të ngushtë që kemi. Falenderoj Presidentin, Kryeministrin dhe Qeverinë e Emirateve të Bashkuara për gadishmërinë dhe shpejtësinë që proceduan për dhënien e kredisë. Me të do ndërtohet gjysma e bulevardit që pret të ndërtohet që nga themelimi i Tiranës moderne, pasi ka ekzistuar në projektet e saj. Lumi i Tiranës, një lum që është përdorur për cdo gjë tjetër, por jo për interesat e qytetarëve do shndërrohet në një nga zonat më kreative. Së shpejti fillon lëvizja e shtyllave të tensionit për tu hapur rrugë fillimit të punimeve, do jetë pak më i gjerë se ekzistuesi, me një sipërfaqe jeshile, ndërtesa moderne dhe lumi do ketë sistemim të shkëlqyer. Lumi me një shpenzim minimal, me një digë që do të ndërtohet mund të krijojë një liqen që e bën në cdo kohë të lundrueshëm për varkat e vogla. E shndërron atë edhe në një zonë me përdorime të shumëllojtë. Këto 64 mln dollarë janë të gjitha të përkushtuara për bulevardin e ri dhe sistemimin e lumit të Tiranës, çka përbën zhvillimin më të rëndësishëm në 8-9 vitet e fundit tha ai.

Si për të qetësuar rivalin e tij politik Edi Rama, apo për tu larguar nga akuzat e tij, Berisha deklaroi se me nisjen zyrtare të fushatës elektorale, duhet të hyjë në fuqi urdhri që ndalon administratën të përdorë mjetet publike në fushatë. Në këtë kontekst ai qartësoi se partitë politike duhet të marrin përsipër shpenzimet e tyre që ditën e parë të fushatës zyrtare.

Z.Sekretar i Përgjithshëm ora e fushatës elektorale po afron, duhet të sjellësh urdhrin e kryeministrit që ndalon për të gjithë punonjësit e administratës, duke filluar nga kryeministri që të përdorë mjetet publike në fushatë elektorale, ky është rregulli standard që e kemi vendosur ne. Unë e kuptoj që rivali im që vrapon për të gjetur një gropë në rrugë dhe për të faktuar se nuk janë ndërtuar rrugë, por nga ana tjetër shpall se kryeministrit po udhëton me helikopter, kur më sheh sa në një kend në një tjetër, atëhere unë do shpall vendimin e prerë, se asnjë qeveritar vendor, asnjë zyrtar i administratës nuk do përdorë mjetet publike për fushatë elektorale. Partitë të marrin përsipër që ditën e tyre të fushatës zyrtare, sidomos udhëhequr dhe nga fakti se qeveria disponon më shumë mjete për shkak të funksioneve zyrtare dhe ato nuk do përdoren për fushatë elektorale- deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›