E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria pakistaneze dënon sulmin nga aeroplanët amerikanë

Qeveria pakistaneze ka dënuar sulmin që dyshohet se është kryer nga aeroplanë amerikanë pa pilot si pasojë e të cilit u vranë gjashtë persona në një zonë klanore të këtij shteti.

Zyrtarët e Pakistanit kanë njoftuar se dy raketa kanë goditur një grup njerëzish, që besohet se ishin militant të cilët ishin duke kaluar kufirin nga Pakistani në Afganistan, në zonën e Waziristanit verior.

Një zyrtar i ministrisë së jashtme të Pakistanit ka thënë përmes një deklarate të hënën se sulmet e njëanshme cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Pakistanit.

Deklarata gjithashtu thekson se sulmet me aeroplanë pa pilot janë kundër-produktive, përfshijnë humbjen e jetëve të civilëve dhe shkelin të drejtat e njeriut.

Waziristani verior është një zonë me plot militantë afganë dhe pakistanezë që kanë lidhje me Al Kaedën.

Ky është sulmi i katërt që dyshohet se është kryer nga aeroplanët pa pilotë amerikanë në brendësi të Pakistanit që kur Nawaz Sharif është betuar si kryeministër i këtij shteti në qershor.

Sharif ka kërkuar që sulme të tilla të ndërpriten menjëherë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›