E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përgatiti aktin normativ të KQZ-së

Në momentin kur katër anëtarët e djathtë të KQZ-së ngritën dorën lart për të miratuar një akt normativ që do i hapte rrugën hapjes së kutive, në tavolinën e tyre nuk kishte asgjë të shkruar. Ata miratuan në parim aktin dhe nisën përdhunshëm të hapnin kutitë, duke shkelur ligjin. Pak ditë më vonë, kur në dritë doli raporti i ODIHR, vëzhguesit thanë se nuk ishte miratuar në mënyrë përfundimtare ky akt, por vetëm në parim. Vëzhguesit e kërkuan aktin, por nuk e morën kurrë. Ristani e grupi i tij vijuan punën, hapën kutitë, bënë çfarë deshën në to, e vetëm sot, kur duhej të dilte rezultati, u lëshuan në tryezë anëtarëve një dosje të rëndë ku thuhej se ishte akti normativ me arsyetimet përkatëse. Juristi i PS pranë këtij institucioni, tha se akti ka ndryshuar në formë e në përmbajtje. Ndërsa nënkryetarja Dëshira Subashi tha se akti nuk ishte përgatitur nga ana e juristëve të KQZ. Në këtë mënyrë, ky akt normativ, për të cilin u deshën disa ditë punë, u gatua në zyrat e qeverisë për ti mbërritur në dorë Ristanit. Ky i fundit, ka bërë disa orë diskutime për të dhënë idenë tek njerëzit se ka një dokument ligjor për të cilin është folur e stërfolur. Në fund, me katër votat e tij, e ka miratuar aktin, edhe pse ai kërkon shumicë të cilësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›