E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria planifikon reformë të re për kontrollin e territorit dhe hetime penale për legalizimet e paligjshme mbi hapësirën publike

Qeveria do të miratojë një reformë të re të thellë për kontrollin e territorit, si reagim ndaj fenomenit në rritje të zaptimit të hapësirave publike nga ndërtimet pa leje. Kjo lëvizje vjen mes shqetësimeve në rritje lidhur me abuzimet në procesin e legalizimeve, ku hapësirat e përbashkëta po kthehen në prona private.

Kryeministri Edi Rama, në një postim të fundit në Facebook, shprehu indinjatën e tij duke publikuar një rast specifik: atë të një shtese lokali e cila është legalizuar pavarësisht se ndodhej në hapësirë publike. Raste të tilla, sipas Ramës, do të kenë pasoja të rënda ligjore.

Lidhur me këto shkelje, Rama deklaroi se legalizimet e tilla do të anulohen ligjërisht. Më tej, ai paralajmëroi se do të ketë hetim penal edhe për punonjësit e Kadastrës që kanë firmosur akte të tilla, të cilat ai i cilësoi si “kriminale”.

“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike në kurriz të komunitetit, jo vetëm që do të reagohet zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht, por do të miratohet si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Kadastrës që kanë firmosur për këto legalizime kriminale,” shkroi Kryeministri.

Kjo reformë e re synon të forcojë zbatimin e ligjit dhe të garantojë se hapësirat publike mbeten të disponueshme për të gjithë qytetarët. Paralelisht me këtë nismë, në rang kombëtar ka nisur një aksion për shembjen e objekteve pa leje që kanë zaptuar hapësira publike, një masë që synon rikthimin e rregullit në territor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›