E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria po ngufat Kuvendin

Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi vazhdon me avazin e vjetër duke i “futur hundët” dhe duke ngufatur punën e legjislativit. Madje, vetë deputetët e pranojnë se janë shndërruar në një makinë votimi në aprovimin e ligjit, duke prodhuar ligje të kualitetit të dobët. Ata thonë se kjo është legjislatura me probleme më të mëdha në kuptimin e funksionimit dhe ndikimit që përdor Qeveria mbi Kuvendin.

Ndonëse agjenda legjislative e paraparë për këtë vit konsiderohet mjaft ambicioze, por vështirë e realizueshme, për faktin se vlerësohet se Parlamenti është shndërruar në një teatër tragjiko-komik, ku kuvendarët më shumë aktrojnë drejtpërdrejt para ekraneve televizive se sa që merren me bërjen e ligjeve kualitative.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, drejton gishtin kah partia në pushtet, e cila, sipas tij, po tenton vazhdimisht ta ngufat dhe të dirigjojë agjendën e Kuvendit. Ai tha se fatkeqësisht këtë po arrin ta bëjë Qeveria e kryeministrit Thaçi, shkruan Ina.

“Këtij dirigjimi po i prijnë devijimet nga debatet, nga puna që ka Kuvendi, si në nxjerrjen e ligjeve. Këtë e bën kryeministri Thaçi dhe nuk ka nevojë të jetë shumë i mençur se ai (Thaçi) qëndron prapa këtyre skenarëve. Ju keni parë disa herë, ai ka tentuar që Kuvendin ta shndërrojë në një vend ku njerëzit qeshin para ekraneve televizive teksa shohin se çfarë ndodh në Parlament. Thjesht Kuvendi s’po arrin të kryejë punën siç duhet, e krejt kjo po ndodh si pasojë e veprimeve të partisë në pushtet dhe Hashim Thaçit”, ka thënë Beqiri i LDK-së.

Ky i fundit, ndërkaq shprehu keqardhjen e tij për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet organi më i lartë ligjvënës. “Edhe pse ndoshta nuk është pritur që Kuvendi të jetë në një nivel më të mirë, duke marrë parasysh se kanë ardhur deputetët me vota të vjedhura dhe kanë abuzuar me vullnetin e qytetarëve, megjithatë është për keqardhje gjendja në të cilët ndodhet ky Kuvend”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, konsideron se deputetët do të duhej të ishin më të pavarur në punën e tyre me qëllim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe jo të marrin vendime të dirigjuara nga Qeveria, apo thjesht vendime militante partiake.

”Ajo çka kemi parë deri më tani ka qenë një përpjekje e vazhdueshme e Qeverisë për ta kontrolluar dhe udhëhequr agjendën e legjislativit në vend që të ndodhë e kundërta. Mendoj se kjo logjikë e funksionimit duhet të ndërrojë sa më parë me qëllim që t’i hapë rrugë Kuvendit në ecjen përpara”, ka thënë ajo.

Deputetja Kadaj-Bujupi, megjithatë konsideron se nëse merret parasysh agjenda legjislative si proces, deputetët po arrijnë që ta përmbushin atë, porse sa i përket mbikëqyrjes dhe zbatimit të ligjeve lë vend shumë për të dëshiruar.

Nga ana e tij, analisti i KDI-së, Driton Selmanaj, ka shfaqur shqetësimin e tij në kualitetin e dobët të ligjeve të miratuara nga Kuvendi.

”Për kualitetin tejet të dobët të ligjeve që po miratohen nga ana e institucioneve të vendit, na tregon fakti se nga 98 projektligjet sa janë planifikuar për miratim në programin e punës së Kuvendit për këtë vit, 65 prej tyre apo mbi 60 për qind janë proceduar për ndryshim-plotësim të ligjeve ekzistuese. Madje, disa nga to janë miratuar jo më larg se në vitin 2011 apo 2012, apo edhe disa herë tanimë të ndryshuara”, ka thënë ai.

Analisti i KDI-së, Selmanaj, ndërkaq, pohon se deputetët janë shndërruar vetëm në makina votimi, sepse, sipas tij, jo rrallë herë amendamentet e paraqitura nga vetë ata gjatë periudhës së amendamentimit të projektligjeve, bëhen vetëm për të sqaruar kuptimësinë e neneve, për të rregulluar teknikën juridike të shkrimit të ligjeve, apo edhe zëvendësimit të fjalëve të cilat janë jo adekuate në këto projektligje.

“Në këtë mënyrë, amendamentimet më shumë i ngjajnë një korrekture gjuhësore se sa një ndryshim apo plotësim i ligjeve. Prandaj, paaftësia e deputetëve (komisioneve parlamentare) për të bërë amendamentim më të mirë dhe më të frytshëm të ligjeve është rezultat i dy fenomeneve: stafi jo profesional mbështetës i komisioneve dhe mosprofesionalizmi i vetë deputetëve”, ka deklaruar Driton Selmanaj.

Mirëpo, një mendim ndryshe, ka shfaqur deputeti nga PDK-ja, Behar Selimi, sipas të cilit, për aq kohë sa deputetët janë në kuadër të subjektit të caktuar politik, obligohen t’i respektojnë qëndrimet politike të partisë që i takojnë.

“Në këto raste, del se disa deputetë ndoshta pa vullnetin e tyre për shkak se i takojnë subjektit të caktuar politik, votojnë konform qëndrimit politik”, ka thënë ai. Deputeti Selimi, ndërkaq ka mohuar që Qeveria e shefit të tij të partisë po e ngufat punën e Kuvendit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›