Vendimi për Rogovën komunë, joligjor

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e zonës së Hasit komunë, pa përfillur fillimisht procedurat që kërkohen, pa marrë pëlqimin e më shumë se 90 për qind të banorëve, por duke u konsultuar me vetëm një grup anonim, konsiderohet vendim, politik i ngutshëm dhe në kohën e parazgjedhjeve lokale.
Pa asnjë bazë ligjore, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim për themelimin e komunës së Hasit në këtë zonë që përbëhet me 41 fshatra, vendbanime këto që deri më tani një pjesë ka qenë nën menaxhimin e komunës së Gjakovës dhe një tjetër nën menaxhimin e komunës së Prizrenit, shkruan Zëri.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëheq me Gjakovën janë shprehur kategorikisht kundër një vendimi të tillë, duke e akuzuar partinë në pushtet, PDK-në për vendime të tilla krye në vete dhe me qëllime të dëmshme politike.
Kundër kanë dalë edhe vetë banorët e këtyre fshatrave, si nga Prizreni ashtu edhe nga Gjakova, për shkak se pos që nuk i ka konsultuar askush, ata konsiderojnë se shndërrimi i këtyre zonave në një komunë, në vend të përmirësimit do të dëmtojë jetesën e tyre. /Indeksonline/