Qeveria pret raportin e KEK-ut për faturat

Ministri i zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se, Qeveria po pret raportin e komisionit që po heton manipulimet e mundshme për faturat e muajit janar për të marrë masat e duhura.
Beqaj ka dalë në foltore e Kuvendit, pas shqetësimeve që kanë ngritur disa deputet për faturat e KEK-ut për muajin janar.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, ka ftuar të gjithë qytetarët që të shkojnë tek komisioni dhe t’i paraqesin të gjitha ankesat, duke shtuar se të gjitha ato ankesa do të merren parasysh.
Ai tha, se kjo qeveri ka ulur në masë të madhe subvencionimet në KEK.
Shefja e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani ka thënë se KEK-u nuk ka arritur t’i inkasojë mjetet dhe për këtë po ndëshkon konsumatorët e përgjegjshëm.
Ajo ka kërkuar nga kryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik që të ndërmarrin masa në mënyrë që qytetarëve t’u kthehet besimi në ndërmarrjet siç është KEK-u.
Derisa deputeti i LDK-së Haki Demolli, e ka quajtur hajni inkasimin e KEK-ut për muajin Janar. Kryeparlamentari Krasniqe i ka tërhequr vërejtjen, duke i bërë më dije se nuk mund ta etiketojë dikë, deri sa procesi është në hetim e sipër.
Ndërsa, Liburn Aliu i “Vetëvendosjes” ka thënë se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mos intervenimit të duhur në këtë ndërmarrje. Sipas tij, shtrenjtimi i energjisë është pasoja e kontratës Limak-Çalik.
“Zhvillime të çuditshme po i vijnë vërdallë sektorit të energjisë në Kosovë. Faturat e janarit e të dhjetorit janë indikatori më i qartë i së ardhmes së çmimit të energjisë elektrike. Këto fatura, po qe se i heqim gabimet në lexim dhe shtimin e padrejtë dhe jo logjik të konsumit të dhjetorit në faturën e janarit, respektivisht të konsumit të nëntorit në faturën e dhjetorit, janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ky shtrenjtim është miratuar nga ZRrEE-ja nga 1 qershori i vitit 2012. Pak a shumë në të njëjtën kohë me shpalljen e konsorciumit Limak- Çalik si oferta më e mirë për privatizimin e Rrjetit të Distribucionit e Furnizimit. Dhe tash një rritje tjetër prej 10% pritet të shqyrtohet dhe të miratohet nga ZRrEE-ja në prill të këtij viti. Pra pak kohë para se Limak-Çalik ta merr përfundimisht nën menaxhim KKDFE-në”, tha Aliu. /Indeksonline/