Qeveria pritet ta përmbyllë në shkurt, por kriteret politike mund ta vonojnë

Qeveria shqiptare ka vënë si afat muajin shkurt për dorëzimin në Bruksel të pyetësorit të BE-së për statusin e vendit kandidat, por sipas të gjitha gjasave, dokumenti do të presë edhe mesin e marsit, kur dhe tentohet një zhbllokim i krizës politike në vend. Kjo sepse pyetësori do të mbetet i paplotësuar në kapitullin politik të tij, ku flitet për reformat strukturore bazë, siç janë ato në drejtësi, ku Shqipëria nuk ka miratuar ligjet kryesore të gjyqësorit, pasi mungon numri i 84 votave. Burime në Ministrinë e Integrimit bëjnë të ditur për “Shqip” se gjithçka po ecën me ritme të shpejta për të përfunduar përgjigjet dhe përkthimin e 2280 pyetjeve në materialin voluminoz prej 384 faqesh. Sot paradite pritet të zhvillohet mbledhja e radhës e Komitetit Ndërministror të Integrimit për të verifikuar punën e kryer nga institucionet e ngarkuara për të përmbyllur plotësimin e dokumentit bazë që aktualisht ka Shqipëria me Bashkimin Europian. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu pritet të dalë para mediave të enjten për tu përgjigjur lidhur me procesin.
Pyetësori përmban pyetje të ndara në 33 kapituj të acquis comunitare (ose thënë ndryshe kriteret e BE-së), një kapitull për kriterin politik dhe një për kriterin ekonomik si pjesë e kritereve të Kopenhagës. Të ashtuquajturat “kriteret e Kopenhagës”, që janë vendosur në dhjetor të vitit 1993 nga Këshilli i Ministrave i BE-së, kërkojnë që një vend aspirant për kandidat duhet të plotësojë këto kushte: të ketë institucione stabël që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe respektimin e minoriteteve, funksionimin e ekonomisë së tregut, aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës së forcave të tregut brenda BE-së, aftësinë për të plotësuar kushtet e anëtarësimit, në veçanti të aderimit, që përfshihen objektivat e bashkimit politik, ekonomik dhe monetar”.
Gjatë takimit të sotëm të Komitetit Ndërministror të Integrimit do të shikohen edhe njëherë sesi institucionet u janë përgjigjur pyetjeve, për t’i verifikuar në aspektin formal. Por kjo është vetëm ana teknike e çështjes, e cila gjithsesi është e vështirë, pasi kërkon përgjigje ekzakte dhe të përkthyera në gjuhën korrekte angleze që përdoret në kancelaritë e Bashkimit Europian. Por çështja e pazgjidhur mbetet zbatimi i kriterit politik, që varet drejtpërsëdrejti nga pjesëmarrja e opozitës në Parlament. Janë rreth tre ligje, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, të cilat kërkojnë 84 vota dhe nuk mund të miratohen nga mazhoranca aktuale. Bëhet fjalë për ligjin e Konferencës së Gjyqësorit, ligjit për Gjykatën Administrative, si dhe ligjin për administratën gjyqësore. Ndërkaq, mësohet se qeveria ka mbajtur një kontakt të vazhdueshëm me Komisionin Europian për të sqaruar çështje specifike të pyetësorit, në mënyrë që përfundimi i plotësimit të bëhet pa gabime. Në procesin e plotësimit të pyetësorit janë përfshirë 45 dikastere, institucione qendrore ose të pavarura, të cilat kanë përcaktuar listën e nëpunësve civilë që do të marrin pjesë në hartimin e përgjigjeve. Janë përcaktuar deri në këtë moment rreth 800 nëpunës civilë, të cilët marrin pjesë në këtë proces. Në procesin e plotësimit të pyetësorit marrin pjesë 27 ekspertë ndërkombëtarë që do të ndihmojnë në asistencë teknike dhe 58 përkthyes.