Tafaj thërret në ndihmë akademikët, dikasteri i Vasilit po “kujdeset” për çështjen e rrezatimit

Pyetësori i Komisionit Europian, i ndarë në copa për secilin dikaster, është kthyer në makth për disa nga punonjësit e këtyre institucioneve. Madje, ata edhe natën e vitit të ri kanë pasur në mendje se si do e mbyllin punën dhe si do e përballojnë atë ende pa u mbyllur afati përfundimtar kur produkti do të dorëzohet i plotë. Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit kanë nisur punën intensive, duke kërkuar nga punonjësit një plotësim të saktë, korrekt dhe informacion ambicioz. Ministria e Shëndetësisë ka për të punuar lidhur me përgjigjet e argumentit të rrezatimit. Sektori i Integrimit pranë kësaj ministrie ka vendosur në punë specialistët për të marrë informacionet e fundit dhe për të dhënë të gjitha të dhënat dhe detajet e nevojshme lidhur me procesin më të përfolur këto dy muaj: pyetësorin. “çdo ministri ka një bërthamë të sektorit të integrimit.
Ministria e Shëndetësisë ka angazhuar specialistët e këtij sektori për pjesën e punës që i takon. Jemi angazhuar për t’u përgjigjur për sa i takon çështjes së rrezatimit, duke qenë se edhe komisioni i mbrojtjes nga rrezatimi ndodhet nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë”, sqaroi specialistja e sektorit të Integrimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Blerina Kazaferi. Sipas saj, puna ka ecur normalisht. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka thërritur akademikët për ndihmë dhe njëkohësisht është angazhuar për ta përfunduar këtë detyrë në mënyrë sa më dinjitoze.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka nisur përgatitjen për të përmbushur dy kapituj të pyetësorit që Komisioni Europian i dorëzoi së fundi qeverisë shqiptare. “Jemi të parapërgatitur për gjithçka, pasi kemi eksperiencën e mëparshme të fqinjëve tanë për këtë pyetësor, por puna do të jetë intensive dhe e bazuar në reformat në arsim e shkencë”, deklaroi Tafaj pak ditë më parë. Sipas tij, për përgatitjen e pyetësorit janë angazhuar ekspertët më të mirë të universiteteve publike dhe private, si edhe pjesëmarrës nga shoqëria publike dhe private. Shumë pyetje kanë të bëjnë me rolin që organet këshillimore dhe agjencitë e ndryshme luajnë në reformat e MASH-it.