Topi në Dajç atakon Berishën: Kjo nuk është fatkeqësi natyrore
SHKODËR - Presidenti i Republikës ka qenë sot në zonën më të goditur nga përmbytjet, në Dajç të Shkodrës. Ai ka atakuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha që ishte dje në të njëjtin vend, duke thënë se kjo nuk është një fatkeqësi natyrore. Gjithsesi ai kërkoi që banorët të largohen nga shtëpitë e tyre sepse do të ketë shkarkime të tjera më të fuqishme nga digat.
"Kjo situatë kërkon një bashkëpunim dhe ndërgjegjësim. Kërkon maturi dhe jo panik", u shpreh Presidenti. Ai iu kërkoi banorëve të bashkëpunojnë në çdo moment me pushtetin vendor dhe me shtabin e emergjencave civile.
"Kjo është një situatë që ndodh, por nuk është në dorë të fatit por në dorë të njeriut. Ndaj, në këtë kontekst them se tani jemi në një moment kur duhet vetëm mirëmenaxhim", deklaroi Presidenti i Republikës.
"Para se të vij këtu kam biseduar me specialistë të metereologjisë por edhe të hidrocentraleve dhe më kanë dhënë se shkarkimet janë të detyrueshme, ndaj iu them banorëve të shpërngulen nga shtëpitë", vijoi Topi. Presidenti sot nuk është shoqëruar nga asnjë deputet i Shkodrës, dhe as nga Prefekti që është edhe shef i shtabit të emergjencave.
Kujtojmë se Berisha një ditë më parë në Dajç u shpreh se kjo është fatkeqësi natyrore që mund të kthehet në katastrofë dhe katastrofat kanë gjunjëzuar shtete më të fuqishme se ne. Sipas Berishës gjithçka ka ardhur nga reshjet e shumta që përfshinë këtë zonë dhe batica e detit që nuk lejoi derdhjen e lumenjve të det.