E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria privatizon Lanabregasin, do ta blejë Ujësjellësi i Tiranës

Në mes të krizën energjetike, kur KESH nuk ka mundësi të furnizojë me energji kompaninë e shpërndarjes CEZ dhe importon rreth 30 milionë euro me çmime marramendëse, qeveria ka vendosur që hidrocentrali i Lanabregasit ti kalojë Ujësjellësit të Tiranës. Në vendimin e së mërkurës, Për transferimin e 100% të aksioneve të shoqërisë Hec Lanabregas sh.a, Tiranë, të zotëruara nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shoqërisë Ujë-sjellës-Kanalizimeve sh.a, nuk është vendosur çmimi i shitjes, por është bërë fakt i kryer që ky hidrocentral do të kalojë për Ujësjellësin. Transferim do të bëhet për të gjitha aksionet, pra do të kalojë 100 për qind në dorëzim të Ujësjellësit. Transferimi i aksioneve do të bëhet me anën e kontratës së shitblerjes, sipas dispozitave të Kodit Civil. Vlera e transferimit e 100% të aksioneve të përcaktohet me ekspertë vlerësues dhe kontabël të autorizuar, të licencuar, dhe të miratohet nga Ministria i Financave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Pagesa e kësaj pakete të aksioneve të bëhet me lekë. Vendimi i djeshëm, i cili hyn në fuqi menjëherë, duket si një mënyrë financimi indirekt për buxhetin e shtetit. Pak kohë më parë, qeveria vendosi të ndajë, për efekt privatizimi, nga struktura e KESH-it hidrocentralet e Ulëz-Shkopet, Lanabregas, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, si dhe ti shndërrojë në sh.a. Kalimi i privatizimit të Lanabregasit te Ujësjellësi i ngjan shitjes së hotel Dajtit, për Bankën e Shqipërisë. Tani, Ujësjellësi do të marrë një kredi në bankë dhe do paguajë buxhetin për vlerën e Lanabregasit. Në këtë mënyrë, shtohen të ardhurat nga privatizimi. Para këto, që me krizën energjetike, pritet të shkojnë sërish për të financuar KESH-in për importin. Në fund të këtij transaksioni, kur kriza energjetike të ketë mbaruar, thjesht në asestet e qeverisë do mungojë HEC i Lanabregasit, i cili do jetë pjesë e Ujësjellësit. Vlera e katër HEC-ve që do të privatizohen varijon nga 150-200 milionë euro. Prodhimi i tyre është afërsisht 6 për qind e prodhimit total të energjisë së KESH-it.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›