Qeveria s’hynë në dialog pa opozitën
Pas thirrjes së kryeministrit Hashim Thaçi, që subjektet politike në Kosovë të bashkohen sikurse që ishin bashkuar më parë, në Rambuje dhe në Vjenë, thirrja opozitës i është bërë edhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.
Pas mbledhjes së qeverisë, ish-kryeministri Çeku është shfaqur para gazetarëve ndërsa ka theksuar se qeveria është e interesuar që edhe opozitën ta shohë duke u marrë me përgjegjësitë që i ka.
“Nuk mendoj se është frikë e qeverisë, kjo është një dëshirë, një vullnet i qeverisë që në projekte madhore të kenë vend në sofrën ku diskutohen çështje të mëdha me rëndësi strategjike për vendin tonë, të jetë prezent edhe opozita. Kjo është ftesë për opozitën që edhe ata të marrin përgjegjësinë e vet, të jenë pjesë e vendimmarrjes për procese të rëndësishme që mund të dalin nga këto bisedime dhe nuk ka të bëjë fare me frikën”, ka thënë Çeku, shkruan Zëri.