E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, sanksione të forta për dhunën në familje

Këshilli i Ministrave shton masat për të parandaluar dhunën në familje. Ekzekutivi ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, të ndryshuar. Me shtesat e bëra në këtë ligj është vendosur ngritja e një qendre kombëtare të shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje. Shpesh, viktimat në familje kanë ardhur për shkak të përdorimit të armëve nga familjarët e tyre. Për këtë arsye qeveria ka bërë disa ndryshime në nenin 10 të ligjit për sa i përket përdorimit apo të drejtës për mbajtjen e armëve. Kështu, vendimi i gjykatës parashikon: a) pezullimin e lejes së armës deri në plotësimin e afatit të urdhrit të mbrojtjes, si dhe njoftimin e autoritetit përkatës administrativ, nëse arma është sekuestruar dhe personi ka një autorizim për armëmbajtje me leje; b) kthimin e armës së sekuestruar, nëse personi ka një autorizim për armëmbajtje me leje, vetëm pas mbarimit të afatit të përcaktuar në urdhrat e mbrojtjes. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike u njoftojnë gjykatave listën e avokatëve, që autorizohen për dhënien e ndihmës juridike falas për rastet e dhunës në familje. Parashikohet gjithashtu se kërkuesi për mbrojtje shkarkohet nga të gjitha detyrimet e taksave dhe tarifat për shpenzimet gjyqësore, si dhe ato të shërbimeve përmbarimore shtetërore, sipas dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi. Me lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje. Me ndryshimet e bëra në nenin 18 të ligjit, gjykata vendos në lidhje me kërkesën për mbrojtje të menjëhershme: a) të një të mituri, brenda 24 (njëzet e katër) orëve pas parashtrimit të kërkesës; b) të subjekteve të tjera të dhunës në marrëdhëniet familjare, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve pas parashtrimit të kërkesës. Këto ndryshime do të kalojnë për diskutim dhe më pas për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›