E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletët e votimit, KQZ: Djegia, pas dekretit të presidentit Topi

Zguri: Po mënjanojmë përfshirjen në debatin politik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të djegë fletët e votimit të shumëdebatuara për një vit me radhë pas dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për caktimin e datës për zgjedhjet lokale. Anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, ka pohuar dje se djegia e fletëve është pjesë e procedurës për fillimin e përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhme dhe për pasojë nuk mund të neglizhohet. Madje, sqaroi ai, KQZ e ka pasur prej kohësh këtë të drejtë, por deri tani nuk ka dashur të futet në konfliktin mes partive politike për këtë çështje. Zguri ka komentuar edhe kërkesën e një grupi qytetarësh për referendum. Ai ka pohuar se kërkesa nuk ka asnjë bazë ligjore.

Fletët

Anëtari i KQZ-së, Zguri, ka theksuar dje se arsyeja e vetme që ky komision nuk ka vendosur deri në këto momente për të djegur fletët e votimit, ka qenë vendimi i saj për të mos u bërë pjesë e debatit politik. Por, sipas tij, tashmë ligji e detyron KQZ-në që me dekretimin e datës të përgatisë procesin për zgjedhjet lokale dhe për pasojë edhe të boshatisë kutitë e votimit. KQZ nuk donte të futej në konfliktin që ishte ndërmjet partive politike. Gjithsesi, mendoj që elementi kohë ka efektin e vet në një proces zgjedhor. Jemi fare pranë daljes së dekretit të Presidentit për zgjedhjet lokale dhe me daljen e tij, KQZ duhet të ndërtojë një plan orientues të punëve sipas procedurave dhe afateve që ka një proces zgjedhor. Një ndër to është edhe përgatitja e infrastrukturës, logjistikës dhe kutitë e votimit janë pjesë e kësaj infrastrukture. Dekreti është orientues, që KQZ të fillojë në mënyrë intensive përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Është e pafalshme për ne në rast se procesi i ardhshëm do të çalojë apo do të vihet në rrezik, qoftë dhe për këtë element, - pohon Zguri. Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve priti gjatë për një marrëveshje mes partive politike, por tashmë Kodi Zgjedhor është i qartë se fletët dhe kundrafletët e votimit duhet të digjen. Mbas përfundimit të procesit zgjedhor, mbasi ka mbaruar edhe procesi i ankimimit, KQZ hap kutinë e materialeve zgjedhore, nxjerr dokumentacionin, i cili duhet të ruhet në Arkivin e Shtetit dhe pas kësaj, paralelisht djeg fletët e votimit së bashku me kundrafletët, - shpjegon anëtari i KQZ-së bazën ligjore mbi të cilën vepron ky institucion. Por nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, mendon se komisioni duhet ende të presë një bashkëpunim mes PD-së dhe PS-së, para se të vendosë për fletët e votimit.

Anëtari i KQZ-së: Kërkesa për referendum, e pabazuar në ligj

Përfaqësuesi i republikanëve në KQZ ka komentuar edhe kërkesën e bërë pak ditë më parë nga një grup qytetarësh për referendum lidhur me fletët e votimit. Sipas Zgurit, kërkesa e tyre, e argumentuar si një mundësi për të zgjidhur ngërçin politik, realisht nuk ka asnjë bazë ligjore. Nuk ka asnjë referencë ligjore. Po të shohësh termat brenda saj, përmenden kriza politike, kriza ekonomike, që janë të ulura këmbëkryq në familjet e shqiptarëve ka terma edhe shumë të rëndë që situata mund të përkeqësohet dhe të dalë edhe jashtë kontrollit. Janë elementë të cilët nuk janë në fokus të punës së KQZ-së, - ka pohuar Zguri. Pak kohë më parë, një grup qytetarësh i drejtuan një kërkesë ligjore Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zhvilluar një referendum lidhur me mënyrën se si duhet të veprohet me kutitë e fletëve të votimit. Kërkesa e qytetarëve është kundërshtuar edhe nga socialistët, të cilët prej më se një viti kërkojnë transparencën e zgjedhjeve. Lidhur me këtë çështje, deputetja Vasilika Hysi ka pohuar se problemi i transparencës nuk zgjidhet me referendum, por me hetim parlamentar.

Neni 178

Ruajtja e dokumentacionit

1. Asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së.

2. Të gjitha procesverbalet e KQV-së ose të çdo komisioni tjetër të ngritur nga KZAZ-ja i jepen KZAZ-së në mënyrën dhe kohën e caktuar nga KQZ-ja.

3. KZAZ-ja mban nga një kopje:

a) të dokumentacionit të kandidatëve dhe partive politike që marrin pjesë në zgjedhje;

b) të listës së emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KQV-së dhe komisioneve të tjera;

c) të listës së qendrave të votimit;

ç) të listave të zgjedhësve për zonën zgjedhore;

d) të emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KZAZ-së;

dh) të hartës së zonës zgjedhore me kufijtë e zonave të qendrave të votimit;

e) të përshkrimit me shkrim të kufijve të të gjitha zonave të administrimit zgjedhor;

ë) të dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, të njoftimeve zyrtare për zgjedhjet të KZAZ-së, të shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për çdo qendër votimi dhe të shpalljes përfundimtare të rezultateve;

f) të deklaratës së shpenzimeve të bëra për administrimin e zgjedhjeve.

4. Dokumentet origjinale, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. KQZ-ja mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

5. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.

6. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›