E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shpall pasuri kulturore, qendrën historike të fshatit Dhërmi

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për deklarimin pasuri kulturore të paluajtshme të qendrës historike të fshatit Dhërmi.

Sipas vendimit, qendra historike e fshatit Dhërmi shpallet pasuri kulturore e paluajtshme, ndërsa zona e saj mbrojtëse përcaktohet në bazë të hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat janë pjesë përbërëse e aktit.

Në vendim thuhet se Këshilli i Ministrave miratoi planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e qendrës historike dhe zonës përreth, me qëllim garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.

Sipas vendimit, ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave në Gjeoportalin Kombëtar, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e vendimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Zbatimi i vendimit u ngarkohet ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkisë Himarë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/e.i/j.p

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›