Arrestimi i policëve, Fieri me tre rrugorë
TIRANE/FIERNjësia Task-Force në Prokurorinë e Fierit i komunikoi dje akuzat për "korrupsion pasiv" nëntë efektivave të policisë rrugore të arrestuar dy ditë më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Policëve të arrestuar u është njoftuar akuza në dhomat e izolimit të Drejtorisë së Fierit, aty ku ata punonin si efektiva të rrugores deri dy ditë më parë. Ndërkohë në zyrat e prokurorisë janë thirrur edhe tetë policë të tjerë të repartit të rrugores, të cilët i shpëtuan arrestimit, pasi po ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Arrestimi i nëntë efektivave të policisë rrugore të Fierit për korrupsion kanë lënë me vetëm tre punonjës repartin e policisë rrugore në këtë qytet. Nëntë efektivat e arrestuar, automatikisht janë shkarkuar nga detyra, ndërsa tetë punonjës të tjerë janë larguar po ashtu nga funksionet për shkak se po hetohen për korrupsion në gjendje të lirë. "Furtunës" kanë arritur t'i shpëtojnë vetëm tre punonjës të mbetur të policisë rrugore në Fier, të cilët nuk mjaftojnë as për organizimin e një patrulle të vetme në rrugë. Rrjedhimisht i gjithë qyteti ka mbetur pa shërbime të Policisë Rrugore. E njëjta situatë dje është konstatuar edhe në akset rrugore që lidhin Fierin me qytetet e tjera të vendit. Arrestimet hapin vende puneNumri i madh i efektivave të policisë rrugore të implikuar në marrje ryshfeti në akset Fier-Vlorë dhe Fier-Lushnjë, është bërë shkak thuajse për "shkrirjen" e strukturës së policisë rrugore në Fier. Pas një hetimi 4-mujor, Ministria e Brendshme arrestoi nëntë policë ndërsa tetë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Vetëm tre efektiva të policisë kanë shpëtuar nga ndjekja penale, pasi ka rezultuar se nuk ishin implikuar në veprime të paligjshme. Largimi nga detyra të 17 efektivave të Policisë Rrugore në Fier, ka hapur po kaq vende pune pasi punonjësit e arrestuar do të zëvendësohen menjëherë, me qëllim që të jenë në krye të detyrës. Burime nga policia thanë se brenda pak ditësh, Drejtoria e Policisë së Fierit në koordinim me strukturat qendrore të policisë do të organizojë konkursin e pranimit për kandidatët që përmbushin kriteret e punësimit në Policinë Rrugore. Një mal me denoncimeDhjetëra qytetarë i janë drejtuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm prej muajsh, duke depozituar ankesa për korrupsionin. "Na grinë ata policët e Fierit", "kërkojnë para pa asnjë shkak", këto kanë qenë pak a shumë ankesat fillestare të qytetarëve. Denoncimet janë depozituar në zyrën e SHKB në Fier e më pas edhe në zyrat qendrore në Tiranë. Ministria e Brendshme ka vendosur të verifikojë fenomenin, duke hapur kështu një hetim i cili pas katër muajsh, provoi se ankesat e qytetarëve qëndronin. Më shumë se 35 raste, kur policët e arrestuar morën ryshfet nga qytetarët, u provuan me veprime procedurale. Shumat varionin nga 500 lekë të reja, deri në 300 euro, që u janë marrë shpeshherë emigrantëve. Ata kërcënoheshin me bllokimin e automjeteve për burokraci, që kishin lidhje me dokumentacionin. Pas disa muajsh hetime, dosja u referua në Prokurorinë e Fierit dhe u mor në hetim nga njësia Task-Force Antikorrupsion. Katër ditë më parë, kjo e fundit kërkoi në gjykatë aprovimin për të arrestuar nëntë efektiva të policisë ndërsa tetë të tjerë procedohen penalisht në gjendje të lirë.Të arrestuar• Arjan Xheka• Bardhosh Malaj• Flamur Derveni• Pëllumb Toro• Pëllumb çepele• Vladimir Gjini• Leonard Brahimaj• Anesti Gjini• Ermir GjonçeRyshfeti, 9 policët ndanin bashkë paratëTIRANE - Dy ditë më parë, Ministria e Brendshme me anë të një deklarate njoftoi arrestimin e nëntë efektivave të policisë së Fierit, duke njoftuar se edhe tetë punonjës të tjerë ishin në hetim. Me akuzën e korrupsionit u arrestuan policët: Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe. Sipas hetimeve të SHKB dhe Prokurorisë, nëntë efektivat e policisë ishin denoncuar nga qytetarë të shumtë për kërkim dhe marrje ryshfeti në akset rrugore që lidhin Fierin me qytetet e Vlorës dhe të Lushnjës. Denoncimet e para mësohet se janë bërë në kohën e sezonit veror, ku shumë pushues kanë rënë pre e "gjobave private" që vinin pa të drejtë efektivat e dyshuar të policisë. Sipas hetimit, ata shfrytëzonin pretekste të ndryshme, si shpejtësia apo dokumentacioni për të ndaluar drejtuesit e mjeteve. Abuzimi ka ndodhur në patrullat e policisë rrugore, vendosur në akset Fier-Vlorë dhe Fier-Lushnjë. Në këto patrulla qëndronin nga 3 ose 4 efektiva policie. Ata "ndanin detyrat", duke qëndruar njëri në rrugë, tjetri në makinë dhe një tjetër duke manovruar tabelën. Pasi ndalonin drejtuesit e mjeteve dhe i kërcënonin me gjoba, ata merrnin më pas ryshfet dhe menjëherë pas largimit të qytetarëve paratë e përfituara i ndanin mes tyre. Abuzimi i efektivave të policisë mësohet se është provuar me deklarimet e dhjetëra qytetarëve, si dhe me raste të marrjes së ryshfetit që janë dokumentuar me anë të filmimeve dhe fotografimeve të fshehta. t.s