Qeveria shpërblen me nga 10 mijë euro lojtarët e kombëtares

Çast nga ndeshja Shqiperi-Bjellorusi
Tiranë, 31 mars 2011 NOA Update – Lojtarët e kombëtares shqiptare shpërblehen me nga dhjetë mijë euro secili, kurse kapiteni Altin Lala (gabimisht Berisha e ngaterroi me Lorik Cana), merr 15 mijë euro shpërblim.
Të njëjtën shumë fiton edhe trajneri aktual i kuqezinjve, Kuzhe si dhe golshënuesi i ndeshjes së para pak ditëve me Bjellorusinë. Hamdi Salihi.
Vendimin e shpalli vetëm pak çaste më parë, kryeministri Sali Berisha.
Ai vlerësoi se kombëtarja shqiptare kohët e fundit ka bërë një hov në rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar.
Për më tepër, Berisha vlerësoi ndeshjen e fundit të kuqezinjve, atë me Bjellorusinë para pak ditësh në kryeqytetin tonë, ku kombëtarja arriti fitoren 1-0.
Berisha tha se këtë vendim, qeveria e merr, sepse kombëtarja shqiptare në këtë sezon ka shënuar arritjet më të mëdha, në tërë historinë e ekzistencës së futbollit shqiptar.
Kurse shtoi: “Kjo kombëtare ka realizuar lojëra të mëdha. Të memorizuara në historinë e saj janë barazimi me ekipin më të fuqishëm të kohës, ekipin e Bekenbauerit, që e lëndoi jo pak me atë barazim. E pashlyer mbetet në analet e historisë së futbollit edhe dita, kur Greqia mike erdhi mbretëreshë në fushën e stadiumit tonë dhe la kurorën, u largua princeshë. Por duhet të pohoj se ndeshja më e bukur ishte ndeshja me Bjellorusinë. Një fitore e merituar, me një gol që, në fakt nuk mund të mos e them, ishte ogur i bardhë i kësaj pranvere, i këtij sezoni dhe i kësaj gare. Ndaj këtë shpërblim, ata e kanë plotësisht të merituar. Por ky shpërblim është gjithashtu një respekt i madh, i veçantë për ata qindra e mijëra djem e vajza të rinj, të cilët e ndjekin dhe janë shndërruar në një mbështetje të jashtëzakonshme morale e ekipit tonë kombëtar në stadiumin kombëtar, por edhe në fushat e Europës. Në fakt, edhe ata janë një faktor i rëndësishëm i kësaj performance, i këtij suksesit. Kjo është ngjitja më e madhe e ekipit tonë kombëtare dhe t’i urojmë atij suksese gjithnjë e më të mëdha.”
e.t/NOA
Shqipëria fiton 1-0 me Bjellorusinë Lajme të ngjashmeNuk ka lajme të ngjashme