E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tani është Kranjçar, favoriti i FSHF-së

 

Zllatko Kranjçar është emri më i ri që qarkullon në korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit. Trajneri kroat 53-vjeçar pëlqehet nga krerët e institucionit tonë të futbollit, pasi ka një karrierë të pasur si trajner dhe për më tepër njihet si një takticien i mirë. Ai gëzon një reputacion të madh në vendlindjen e tij, madje ka drejtuar edhe Kombëtaren e Kroacisë. Menaxherët e teknikut dhe përfaqësueses të FSHF-së kanë pasur kontakte gjatë këtyre ditëve dhe nuk përjashtohet mundësia që brenda kësaj jave të ketë një takim mes palëve. Gjatë karrierës si trajner, Kranjçar ka drejtuar, Austria Klagenfurtin, Segesta Sisakën, NK Zagrebin, FC Linzin, Slaven Belupon, NK Samoborin, Al Masryn, NK Murska Sobotën, Marsonia Slavonskin, NK Rijekën, Kombëtaren e Kroacisë dhe arabët e Al Shaabit. Përveç Kranjçar, është lakuar emri i një tjetër tekniku kroat, Mirozlav Blazeviç, i cili gjithashtu, cilësohet si një nga trajnerët më të mire në Kroaci. Ai konsiderohet si “armiku” më i madh i Oto Bariçit, për shkak të rivalitetit që kanë pasur me njëri-tjetrin. Sreçko Katanec është zbutur disi dhe e ka lënë të hapur mundësinë për të hyrë në bisedime me Federatën Shqiptare të Futbollit. Në një deklaratë të dhënë për “Koha Ditore”, Katanec ka thënë: “Nuk di asgjë për këtë punë, nuk kam pasur asnjë kontakt. T’ju them të drejtën as nuk kam menduar ndonjëherë për këtë mundësi, më duhet të shoh nëse jam i gatshëm për një sfidë të re, por nuk e përjashtoj si mundësi”, thekson ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›