“Bomba” e Oto Bariçit: Po kthehem në Shqipëri!
Jetmir Halilaj
Trajneri kroat, Oto Bariç, një vit e gjysmë më parë u largua me shumë zhurmë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Shumë akuza të ndërsjella ishin shkëmbyer mes tij dhe lojtarëve, ndërsa mes të dy palëve u ishte lënë faji për dështimin e Kombëtares në dy takimet e fundit, sidomos në atë të luajtur në Rumani kur Shqipëria humbi me 6-1 në eliminatoret për Euro 2008. Tashmë, kur pasardhësi i tij, holandezi Ari Han, nuk bëri asgjë më shumë dhe e larguan pa përfunduar cikli eliminator për Botërorin 2010, prioritet i Federatës Shqiptare të Futbollit, veç emrave të tjerë është edhe ai i kroatit 76-vjeçar. Këtë e ka pohuar vetë tekniku, në një intervistë të dhënë dje për të përditshmen kosovare “Koha Ditore”. Ai ka deklaruar gjithashtu, se gjatë ditëve të fundit ka pasur kontakte edhe me presidentin e FSHF-së, Dukën. “Kemi pasur disa kontakte me kreun e Federatës Shqiptare. E pranoj, më pëlqen ideja për rikthim. I njoh futbollistët shqiptarë, pasi me ta kam bërë një punë të mirë, për aq kohë sa isha aty. Mendoj se mund të bëj gjëra të mira edhe në të ardhmen, meqë pas largimit tim aty nuk ka lëvizur asgjë në drejtim pozitiv”, është shprehur Bariç. “Jam i sigurt se mund të punojmë ende bashkë. Përkrah dua dy trajnerë shqiptarë dhe jam shumë i bindur se me ta mund të ndërtojmë një përfaqësuese dinjitoze, me shumë hapësirë për talentet e rinj”, ka shtuar tekniku 76-vjeçar. Ndërkohë që Bariç pret që niveli i kontakteve me FSHF-në të avancohet, pse jo deri në marrëveshje, në garë është thënë të jetë edhe një tjetër emër i njohur i rajonit, ish-trajneri i Maqedonisë, Sreçko Katanec. Slloveni mohon të ketë pasur kontakt me njerëz të futbollit shqiptar.
Rinovimi
Nëse nuk do të ishte për dy ndeshjet e humbura në nëntor, ato kundër Bjellorusisë 4-2 dhe kundër Rumanisë 6-1, Bariç me shumë gjasa do të kishte rinovuar kontratën me kuqezinjtë. Nëse punët do të kishin shkuar ndryshe dhe kroati do të kishte vazhduar punën në krye të Kombëtares sonë edhe pas atij edicioni, në skuadër do të kishte pasur një revolucion të vërtetë. Burime pranë ish-trajnerit të përfaqësueses, bëjnë të ditur se pjesa dërrmuese e lojtarëve titullarë në Kombëtare dhe kryesisht ata me moshë të madhe do të ishin larguar nga ekipi. Këtu bën përjashtim vetëm Ervin Skela, për të cilin Oto Bariç kishte një konsideratë të veçantë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” pak ditë më parë, tekniku kroat pohoi haptazi se Hani gaboi rëndë që nuk e rinovoi përfaqësuesen shqiptare. “Unë fillova t’iu kushtoja më shumë hapësirë të rinjve dhe shpresoja që kjo gjë të vazhdonte edhe pas largimit tim, por vura re se Hani gjatë gjithë kësaj kohe ka punuar me skuadrën që i lashë unë në dispozicion. Unë mendoj se ky është një gabim i madh. Po të kisha qenë unë, do të kisha bërë shumë ndryshime dhe me mua Shqipëria s’do kishte pasur një ecuri të tillë në këto eliminatore”, pati deklaruar Bariç.
Akuzat
Pas humbjes 6-1 në Bukuresht kundër Rumanisë, Oto Bariç deklaroi në media se dyshonte se dy lojtarë të Kombëtares shqiptare kishin trukuar ndeshjen. Ai tha se nuk kishte prova konkrete, por kishte dyshime se rezultati në këtë takim ishte i paracaktuar. Bariç ka kritikuar ashpër për herë të parë punën e bërë nga pasardhësi i tij te kuqezinjtë, Ari Hani.
Brigel
Edhe ish-trajneri Hans Peter Brigel shprehu hapur dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri. Megjithatë, ka shumë pak gjasa që gjermani të rimarrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare. Burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se rikthimi i ndonjë ish-trajneri ka shumë pak mundësi që të ndodhë.