Qendrat shëndetësore verore, 4370 vizita gjatë javës së parë të shtatorit

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Qendrat shëndetësore verore vijojnë ofrimin e shërbimeve për pushuesit në zonat turistike të vendit, me staf të dedikuar gjatë sezonit turistik 2026.
Sipas raportit javor të qendrave shëndetësore verore të publikuar nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, për periudhën 31 gusht–6 shtator janë realizuar 4370 vizita mjekësore, ndërsa 10% e tyre u përkasin pushuesve të huaj.
Ndër diagnozat më të shpeshta të evidentuara gjatë kësaj periudhe janë gastroenteritet, hipertensioni arterial dhe virozat e ndryshme.
Qendrat shëndetësore me numrin më të lartë të vizitave gjatë javës së raportuar kanë qenë ato në Pogradec, Himarë dhe Shëngjin.
Qendrat shëndetësore verore vijojnë të jenë në funksion në zonat turistike, duke garantuar akses në shërbime shëndetësore për pushuesit vendas dhe të huaj gjatë sezonit turistik.
/e.i/a.f/