Qeveria vendos shpërblimin me 2 mijë lekë të pensionistëve, për festat e fundvitit

Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e qeverisë, dhënien e shpërblimit të fundvitit prej 2 mijë lekë për pensionistët. Nga ky vendim përfitojnë 560 mijë pensionistë, me një vlerë të përgjithshme 12 miliardë lekë. Kryeministri tha se vendimi për shpërblimin e tyre, sado modest, është një akt respekti e mirënjohjeje për punën e përkushtimin që ata kanë dhënë ndër vite.
“Dua të siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre,” – u shpreh Kryeministri, duke garantuar gjithashtu se politika e rritje së rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë të jetë konstante, edhe përkundrejt kundërshtisë së opozitës, në bindjen më të thellë se ky është interesi më i ngushtë dhe më imediat i qytetarëve shqiptarë.
“Nuk mund të preket politika e rritjes së rrogave dhe pensioneve, shtoi edhe faktin se kemi një zotim solemn elektoral që sa të na votojnë, do të rrisim rrogat e pensionet. Ne jemi të hapur, sepse këtë nuk e kemi bërë në vitet elektorale, por që nga viti 2006 e këtej kjo ka qenë politikë konstante e kësaj qeverie. Në të gjitha buxhetet e miratuara është parashikuar e do të parashikohet rritja e rrogave e pensioneve.”
Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë.
“Kryefjala e mbledhjes sot është vendimi për shpërblimin e pensionistëve. Pati një trysni të pamerituar, për të mos thënë të pashpirt, mediatike, të qëllimshme dhe të organizuar lidhur me shpërblimin e fundvitit. Në asnjë rrethanë, qeveria nuk ka pasur ndërmend të përjashtojë nga shpërblimi, sado modest, 560 mijë gjysh e gjyshe, nëna e baballarë në pension, të cilët meritojnë shumë më tepër sa marrin, por që kanë konsideratën më të madhe nga kjo qeveri, që ka dhembshuri e respekt të madh ndaj tyre, vlerësim për kontributin që kanë dhënë në ndërtimin e kësaj Shqipërie, që sot është krejtësisht tjetër falë lumenjve të djersës e mundit të tyre.
Më duhet të denoncoj publikisht mediat e kontrolluara nga opozita, të cilat dezinformuan në mënyrë shumë të pandershme pensionistët shqiptarë dhe shkuan deri aty sa t’i përgjysmojnë dhe t’i përdorin për qëllime dezinformuese deklaratat e ministrit të Financave, duke krijuar një shqetësim tërësisht të pabazë tek pensionistët shqiptarë.
Sot, ne vendosim për shpërblimin e punonjësve të administratës me shumën e përcaktuar nga Ministria e Financave dhe shpërblimin në fund të vitit me 2 mijë lekë, të 560 mijë pensionistëve. Me këtë rast dua të siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre. Rikujtoj këtu se gjashtë vjet më parë, në fillim të vitit 2006, pensioni mesatar në fshat ishte 34 dollarë. Sot është rritur me 110 përqind. Çdo vit opozita ka kërkuar të mos rriten pensionet dhe ka votuar kundër rritjes së tyre. A mbani mend të ketë sjellë opozita ndonjë amendament për të rritur pensionet e rrogat? Sigurisht që jo. Por amendamenti i tyre për të përllogaritur borxhin si përqindje e GDP-së po regjistrohet në Guinness, si një gafë e përmasave ndërkombëtare. Ndërkohë që çdo gjimnazist, për shkak se tashmë në gjimnaz janë futur njohuritë ekonomike, e ka të qartë se borxhi nuk llogaritet ndryshe, veçse si përqindje e GDP-së. Por opozita jonë zbuloi Amerikën, në një kohë kur ajo është fuqia kryesore e botës! E kuptoni sikur të ishte në anën tjetër të hënës e jo në këtë planet.
Opozita nuk votoi rritjen e pensioneve dhe rrogave, dëshmi e një lloj shpirtkazmërie që rrjedh kryekëput nga interesi për vota dhe ngaqë janë shumë të interesuar për votat mendojnë se rritja e rrogave e pensioneve apo këto shpërblime do të konvertohen në to. Ata nuk kërkuan as në parlament, as në komision e askund, rritje apo shpërblim për pensionistët. Përkundrazi, vrapuan të censurojnë edhe deklaratën e ministrit dhe të shpallin se qeveria nuk do të shpërblejë pensionistët, në fund të vitit, çka do të ishte në të vërtetë një lajm jo i mirë për ta. Jashtë rrethanave të jashtëzakonshme, qeveria nuk i ka harruar e nuk do t’i harrojë ata. Ka pasur rrethana të jashtëzakonshme, në të cilat u mobilizuan të gjitha fondet, për përballimin e tyre, por për gjashtë vite me radhë qeveria ka qëndruar e qëndron në anën e tyre.
Këtu dua të bëj edhe një sqarim. Kundërshtimi nga institucione ndërkombëtare për rritjen e rrogave e pensioneve nuk është marrë e nuk mund të merret parasysh nga kjo qeveri. Ata janë partnerë të shkëlqyer e ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj punës e kontributit të tyre, por ne jemi të detyruar të mbajmë parasysh edhe interesat më të ngushtë, më imediate të punonjësve të administratës shqiptare dhe të pensionistëve shqiptarë dhe nuk ka interes më imediat se rritja e rrogave pensioneve, gjë të cilën ata e kanë të domosdoshme. Në asnjë rrethanë, qeveria nuk mund të pranojë që të ulet niveli i jetesës. Qeveria nuk mund të pranojë jo që të mos indeksojë, por të mos indeksojë dyfish rritjen e çmimeve. Le të vazhdojnë të merren [opozita] me çmimin e fasuleve, që sigurisht çmimet rriten, por qeveria i rrit rrogat e pensionet minimumi dyfish më shumë sesa inflacioni. Unë kam mirëkuptim për thirrjet që vijnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, sepse qëllimin e kanë të mirë, por shenjën nuk e godasin. Është njëra anë të kesh qëllim të mirë dhe ana tjetër është të godasësh në nishan. Nuk mund të preket politika e rritjes së rrogave dhe pensioneve, shtoi edhe faktin se kemi një zotim solemn elektoral që sa të na votojnë, do të rrisim rrogat e pensionet. Ne jemi të hapur, sepse këtë nuk e kemi bërë në vitet elektorale, por që nga viti 2006 e këtej kjo ka qenë politikë konstante e kësaj qeverie. Në të gjitha buxhetet e miratuara është parashikuar e do të parashikohet rritja e rrogave e pensioneve. Ndaj ftoj opozitën, e cila nuk votoi për rritjen e rrogave e të pensioneve apo nuk kërkoi shpërblimin e pensionistëve në fund të vitit, të paktën të kërkojë ndjesë publikisht dhe të mësojë se edhe ndjesa është dhunti e njeriut të qytetëruar. Sipas shprehjes latine: Errare humanum est – Të gabosh, është njerëzore. Vetëm në doktrinën e etërve, ata nuk gabojnë kurrë. Uroj që të kërkojnë ndjesë se nuk miratuan në parlament rritjen e rrogave dhe pensioneve, të kërkojnë ndjesë se përhapen lajmin dezinformues, të pandershëm, me të cilin donin të mërzisnin e të trysnonin psikologjikisht pensionistët, në një kohë kur ata do të shpërbleheshin. Një shpërblim i merituar dhe është kënaqësi që kjo qeveri është nga më të paktat që ka mundësi t’ju dërgojë një kartolinë të tillë 560 mijë pensionistëve dhe të gjithë punonjësve të administratës, me urimin më të përzemërt për një vit të ri plotë suksese, gëzime, shëndet dhe mbarësi.
Besoj se nuk mund të kishte kryefjalë tjetër para këtij vendimi për të shpërblyer pensionistët për fundvitin. Dua të falënderoj të gjithë administratën doganore, tatimore dhe administratën në tërësi, si dhe të falënderoj biznesin, pasi këto janë të gjitha para të taksapaguesve shqiptarë. Jam i bindur se çdo biznesmen, me kënaqësinë më të madhe, do të dëshironte të shihte që me taksat që paguan kontribuon në përmirësimin e jetesës nëpërmjet rritjes së buxhetit personal të të gjithë punonjësve të administratës dhe pensionistëve shqiptarë.
Shqiptarët kanë një dinamizëm krejtësisht tjetër. Dje po lexoja një statistikë shumë interesante dhe ju bëj thirrje t’i merrni këto statistika nga doganat se janë të gjitha të afishuara. Në harkun kohor 12 mujor, nga shtatori i vitit 2011 deri në shtator 2012, kanë hyrë në Shqipëri 58 mijë makina të importuara. Për ata që thonë se na ka rënë fuqia blerëse, përgjigja është 58 mijë makina në një vit, sa 1/5 e të gjithë makinave që kanë hyrë në vend në 20 vite para këtij viti. Ky është dinamizmi ekonomik i vendit.
Le të përshëndesim biznesin e qytetarët shqiptarë dhe të shprehim kënaqësinë e nderimin tonë që na krijuan këtë mundësi, për të rritur rrogat e pensionet, në buxhetin më të madh në historinë e vendit, në 100 vjetorin e pavarësisë - po të ishte një shtrëngesë krize, do të ndjeja një gëzim, por edhe pak dhimbje, kështu që nuk ka krizë, por pasoja krize, ndaj falenderojmë të gjithë.”
19/12/2012