Qeveria,2 marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë gjermane
Qeveria miratoi sot në parim dy marrëveshje me qeverinë gjermane për bashkëpunimin financiar për projektin “Masterplani në sektorin ujor” dhe për “Programin e mbrojtjes së mjedisit të liqenit të Ohrit, shkarkimi i ujërave të zeza në Pogradec, faza III”.
Kryeministri Berisha tha se projekti “Masterplani në sektorin ujor” është një nga projektet më të rëndësishme të vendit dhe Masterplani, një dokument themelor në shfrytëzimin e pasurisë ujore të vendit, mbi kriteret më të drejta dhe zhvillimin e saj.
“Shqipëria, - tha Kryeministri - është vend i bekuar me brigjet e malet e saj, por para së gjithash me ujërat e saj. Shqipëria është një ndër vendet që i ka ato më me bollëk dhe përbën absolutisht pasurinë numër një të këtij vendit e këtij kombi. Në fushën e ujërave, investitori kryesor ka qenë qeveria gjermane, e cila ka investuar nga Kruma gjer në Sarandë në dhjetëra e dhjetëra projekte ujësjellësish e kanalizimesh, ka bërë që me këto investime, një numër i madh qytetesh e komunash të vendit të kenë ujë 24 orë, ka ndërtuar dhe financuar impiante jashtëzakonisht të rëndësishme të pastrimit të ujërave të zeza si në Golem, Pogradec, në liqenin e Ohrit dhe në zona të tjera. Ky Masterplan përbën një dokument themelor ndaj kësaj pasurie të madhe ujore të vendit, në shfrytëzimin e saj mbi kriteret më të drejta dhe zhvillimin e kësaj pasurie.”
Gjithashtu, programi për mbrojtjen e mjedisit të liqenit të Ohrit, u vlerësua nga Kryeministri si një projekt që po e nxjerr Pogradecin në krye të listës së liqeneve të Europës, për tërheqjen e turistëve.
Po sot, qeveria miratoi edhe vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, të pronës të administruar më parë nga divizioni i Korçës.