Qeverisë i del dija jashtë kontrollit, vendos të heqë pagesën për punonjësit me master
Në vitin 2007, qeveria shqiptare mori një iniciativë për të thithur trurin. Synimi i saj ishte që shumë nga ata që kishin studiuar jashtë të ktheheshin e të punonin në Shqipëri me një pagë më të lartë nëse kishin titullin master. Çfarë ndodhi? Jo vetëm që truri nuk u thith, por biznesi i masterit u bë njësoj si ai i kromit në Bulqizë. Dihet tashmë që qeveria shqiptare, e pazonja për të investuar në arsim, i ka hapur dyert për arsimin privat, për një grup njerëzish të etur për para. Këta të fundit nisën të diplomonin më shumë njerëz me mastera se me diploma universiteti. Vetëm në vitin 2009, në rrugët e Shqipërisë u plasën 8300 njerëz me mastera nga universitetet kioska. Masteri i tyre vlente njësoj si masteri i marrë në një universitet perëndimor. Kostoja në buxhetin e Berishës rritej frikshëm. Miliona euro shkonin për këtë ushtri njerëzish. Në këto kushte, pa zhurmë e pa shumë bujë, qeveria ka vendosur që të heqë pagesat për ata që kanë master, duke shpëtuar njëherë e mirë nga inteligjenca e re që ka prodhuar kjo qeveri, të cilës arsimi i ka dalë edhe jashtë kontrollit.