E Diel, 1 Nëntor 2026

Java e katërt e grevës së urisë në Bulqizë

Nga Besar Likmeta, Balkan Insight

Një grup minatorësh kanë hyrë në javën e katërt të asaj që drejtuesit e sindikatave e quajnë një grevë urie në minierën e Bulqizës në veri të Shqipërisë.

Drejtuesit e sindikatave thanë se 10 nga 13 minatorët që kanë nisur një grevë urie 22 ditë më përpara janë zëvendësuar me 10 minatorë të tjerë.

Minatorët janë të pozicionuar 1.400 metra nën sipërfaqe në një nga galeritë e minierës.

Kur Balkan Insight vizitoi minierën javën e shkuar, një ambulancë ishte e pranishme, megjithatë na u refuzua aksesi në personelin e ambulancës për të pyetur në lidhje me shëndetin e minatorëve.

Miniera drejtohet nga një kompani e quajtur ACR, që është degë nën pronësi të plotë të kompanisë së minierave në Austri DCM DECOmetal.

Taft Koleci, kreu i Federatës Shqiptare të Bashkimit të Sindikatave, pretendon se drejtuesit e ACR dhe DCM DECOmetal nuk kanë treguar vullnet për të negociuar me minatorët grevistë.

Ai akuzon: Ata punojnë njësoj si mafia italiane. Sipas tij, kompania nuk ka përmbushur premtimet e bëra më përpara. Ne i bëjmë thirrje kompanisë që të plotësojë kërkesat tona, ose të largohet, shton Koleci.

Kontaktet mes drejtuesve të kompanisë dhe drejtuesve të sindikatës kanë dështuar në arritjen e një zgjidhje për pagesat.

Një takim në Tiranë të premten mes drejtuesve të DECOmetal dhe sindikatave nuk arriti një rezultat të dukshëm.

Drejtuesit e ACR thonë se janë të hapur për të plotësuar kërkesat e minatorëve grevistë, por akuzojnë drejtuesin e sindikatave, Koleci, se ka një axhendë të fshehtë.

Kompania thotë se ka ngritur padi ndaj Kolecit dhe kreut të Federatës së Sindikatave Shqiptare, duke i akuzuar ata për bastisjen e zyrave të tyre në Bulqizë në korrik.

Sindikatat i mohojnë këto akuza.

Ndërkohë, pronarët e minierës hedhin poshtë akuzat për menaxhim të dobët dhe insistojnë se pagat e investimet janë rritur që kur ata kanë marrë kontrollin mbi minierën në vitin 2007.

Në një intervistë të shpërndarë për median vendase më 7 gusht, një nga bashkëpronarët e DCM DECOmetal thotë se kompania i ka rritur pagat me 70 përqind në katër vitet e shkuara dhe ka investuar më shumë se 30 milion euro në Shqipëri, kryesisht në fabrikën e ferrokromit në qytetin industrial të Elbasanit.

Sipas ACR, minatorët në Bulqizë marrin një pagë mesatare prej 49.600 lekësh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›