E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisja 60%-40%, kryebashkiaku i Beratit: S'ka pakt me LSI. Mos i besoni Tavos.

BERAT - Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi u ka thënë dje, banorëve të këtij qyteti, që të mos u besojnë deklaratave personale të përfaqësuesve të LSI-së. Nisur nga ajo çfarë tha kandidati i LSI-së Vangjel Tavo në Gjiro-kastër, se "pas zgjedhjeve LSI do të marrë 40% të pushtetit", por edhe deklaratat e Naços për Metën kryeministër, Nasufi ka dashur të sqarojë qëndrimin e tij para qytetarëve. Edhe në pozicionin e kryetarit të shtabit elektoral të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Nasufi ka thënë se deklaratat e përfaqësuesve të LSI, Nasip Naço dhe Vangjel Tavo, pak ditë më parë, janë thjesht dëshira individuale dhe jo pjesë të marrëveshjes mes PS dhe LSI. "Nënshkrimi i koalicionit PS-LSI është një ngjarje e rëndësishme për të majtën shqiptare, sepse e kthen votën në shtratin e saj të natyrshëm, por nuk ka marrëveshje të tilla, siç janë shprehur Naço e Tavo. Siç e ka pohuar edhe kreu i LSI, Meta, kryeministri është përcaktuar nga Kushtetuta dhe përfaqësimi në qeverisje varet nga vota e qytetarëve", - tha Nasufi. Sipas tij, të gjitha të tjerat janë qëndrime personale dhe pjesë e marrëveshjes PS-LSI". Deklarata është bërë dje, në takimin që kandidatët për deputetë në qarkun e Beratit, Artan Lame dhe Eduard Shalsi, organizuan në sheshin përpara bibliotekës "Vexhi Buharaja", për projektplanin urbanistik të qytetit dhe mbrojtjen e vlerave historike, kulturore e muzeale të qytetit. Nasufi tha gjithashtu se plani rregullues i qytetit, i miratuar edhe në KKRTSH, qëndron në sirtarin e kryeministrit, sepse ai nuk do rregull, por kaos të ndërtimeve. Veç deputetëve Lame e Shalsi, në takim foli dhe ish-drejtori i Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko.
DEKLARATAT E LSI
Ndërkohë, dy ditë më parë, kandidati i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo zbardh detaje të marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së. Gjatë një takimi me mbështetës të Gjirokastrës, Tavo deklaroi se LSI-ja do të marrë 40% të pushtetit në qeverisjen e përbashkët me socialistët, në rast se koalicioni i majtë fiton zgjedhjet e 23 qershorit. "Në marrëveshje të qeverisjes me Partinë Socialiste, pas zgjedhjeve të 23 qershorit kemi një ndarje të përgjegjësive të administrimit të pushtetit, ku 40% e këtyre përgjegjësive i takojnë LSI. 40% e administratës do administrohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Jemi të bindur që në 23 qershor nuk ka për të lëvizur asnjë votë e gjirokastritëve", - tha dje, Tavo. Ndërkohë, pak ditë më parë, gjatë një mitingu në Berat, deputeti i LSI-së Nasip Naço deklaroi se Ilir Meta është lideri i së majtës shqiptare. Ai kërkoi votat e qytetarëve të Beratit, ndërsa u shpreh i bindur se Ilir Meta do të bënte më shumë se gjithë të tjerët si kryeministër i vendit. "LSI-ja është forca që do të realizojë këtë ndryshim, pasi ne kemi një lidership të provuar në vite, që di t'i fitojë zgjedhjet por dhe t'i mbrojë ato. Ai është kryeministri më i suksesshëm i së majtës në Shqipëri, është lideri i së majtës, është Ilir Meta. Të gjithë ne që jemi këtu bashkë, kemi të përbashkët Malin e Tomorrit, por sigurisht që ne bashkë këtu kemi dhe një mal të politikës shqiptare: ai është Ilir Meta, i cili, me votën tuaj në 23 qershor do jetë kryeministri i Shqipërisë", - u shpreh Naço.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›