E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qimja e ndërruar e censurës

Shumëkujt do ti kujtohet proza e shkurtër e Borgesit, për një bibliotekë gjeometrikisht të pafund, në trajta kaleidoskopike, e cila i përmban të gjithë librat që janë shkruar dhe do të shkruhen Në foto: Jorge Luis Borges

Ardian Vehbiu

Një herë e një kohë, censura e librit nuk kërkonte shumë mund: merrnin një zotëri të besuar, një mesoburrë të ditur dhe të rreptë, të shëndoshë nga trupi dhe zakonet, dhe e ulnin në një tryezë; pa i jepnin edhe letër dhe laps, dhe e vinin të hartonte një listë alfabetike të librave që nuk i duheshin dhënë lexuesit.

Paskëtaj, kur ndonjë djalë kërrente ndonjë vëllim me vjersha për mëmëdhenë, ia sillnin dorëshkrimin prapë këtij zotërisë që ta këndonte dhe të vendoste nëse libri do ta shihte dritën e botimit apo jo. Kështu punët shkonin si sahat, kujdesin e ushtronin, dhe popullin e mbronin nga degjenerimi politik dhe moral që mund të sillte libri i dëmshëm.

Sot censura ka evoluar krahas telefonisë celulare dhe modeleve të çizmeve për gra, duke përmirësuar metodat dhe efikasitetin, deri aty sa të bëhet e padukshme për vdekatarin e të arrijë çka Baudelaire-i ia atribuonte djallit, kur shkruante se marifeti më i madh i këtij të fundit, ishte që ti bindte njerëzit se nuk ekziston.

1. Biblioteka e Babelit

Shumëkujt do ti kujtohet proza e shkurtër e Borges-it, për një bibliotekë gjeometrikisht të pafund, në trajta kaleidoskopike, e cila i përmban të gjithë librat që janë shkruar dhe do të shkruhen. Sfida e lexuesit, përballë kësaj strukture të përbindshme, është edhe si ta gjejë librin që dëshiron para se të vdesë, sa kohë që libri diku do të gjendet doemos.

Metafora e labirintit, në trajtën e shumësisë seriale, i shkon për shtat tregut të sotëm. Qëmoti përzgjedhja e asortimentit (lexo: censura) i ngarkohej për detyrë atij zotërisë me dorë të fortë dhe kur ti shkoje në dyqan për të blerë, bie fjala, brisqe Astra, brisqet ose i blije në çast ose të thoshin që furnizimi pritet të vijë vitin tjetër. Sot mund të ndodhë që të shkosh të blesh after-shave ose ilaç për miza, por në dyqanin llamburitës të ta urojnë mirëseardhjen 24,000 artikuj njëri më shumëngjyrësh se tjetri, të renditur rafteve sipas kriteresh të cilave as vetë shitësja su jep dot dum, dhe njëlloj si në Pazarin e Madh të Stambollit, të kalosh tërë ditën e Perëndisë duke hequr këmbët zvarrë nga mirazhi në mirazh pa e gjetur dot çfarë kërkon, por duke gjetur gjithçka tjetër që nuk kërkon.

Në supermarketin modern, njëlloj si në bibliotekë, klienti orientohet sipas tabelave: këtu letra higjienike, atje letra smerile; këtu kremi për rrudhat e syve, atje kremi për majasëllin. Në tregun e librit, punën e tabelave duhet ta bëjë, idealisht, kritika duke e ndarë shapin nga sheqeri dhe egjrën nga gruri, në mënyrë që lexuesi ta gjejë rrugën në labirint para se të luajë mendsh ose të vdesë nga etja (për dituri). Nëse dje, bie fjala, Jevtushenkon nuk ta linte ai zotëria tuhaf ta lexoje, sot Jevtushenkon me siguri do ta kenë botuar gjëkundi (mundësisht të shqipëruar nga hungarishtja ose lituanishtja), por ti nuk ke dëgjuar ndonjëherë për këtë shkrimtar, apo edhe po të kesh dëgjuar, më lehtë e ke të gjesh daljen nga libraria (ose nevojtoren), sesa librin vetë në raft ose, më shpesh akoma, si gjendje në magazinën e shtëpisë botuese.

2. Kakofonia

Botuesit janë edhe tregtarë dhe kërkojnë të shesin, sepse kanë familje për të mbajtur, prandaj priren të nxjerrin në treg libra të cilat, sipas studimeve që kanë bërë, i përshtaten shijes së lexuesit. Lexuesve, nga ana e tyre, shija iu formohet nga librat që u qëllon të lexojnë. Efekti i këtij rrethi vicioz njihet tashmë: botues dhe lexues ulen në tryezën e emëruesit më të vogël të përbashkët, e cila njihet ndryshe edhe si letërsi trash: aventura me serial killers që i gatuajnë dhe i hanë viktimat e tyre; katalogë erotikë të 69 pozicioneve seksuale të miratuara personalisht nga Sting-u; doracakë për kërpudhat afrodiziake; histori faraonësh egjiptianë që flisnin shqipe të kulluar; biografi psikopatësh të lavdishëm; hipoteza për Hitlerin e mbijetuar, që udhëtoi me nëndetëse drejt Antarktidës; romanca që shiten së bashku me shamitë për të fshirë lotët; rrëfime syçelëse për masonerinë, planetin Nibiru, tempullarët, Shën Graalin dhe kalendarin maja; buqeta lapërdhish për personalitetet e momentit.

Kakofonia e tregut të sotëm të librit, ku lulëzojnë njëqind lulet dhe ku Homeri shitet krah për krah me (kushëririn tënd) Ymerin, e huton lexuesin, ia merr mendjen, ia topit funksionet e epërme të korteksit, e fut në dalldi e në jerm, siç ka ndodhur tani vonë në panairet e fundit të Librit në kryeqytet; meqë ky lexues nuk e vendos dot nëse të blejë, bie fjala, Emrin e trëndafilit të Umberto Eco-s, apo Kodin e Da Vinci-t të Dan Brown-it; ose edhe më keq akoma, Varrezën e Pragës, përsëri të Eco-s, apo Protokollet e të urtëve të Zionit. Do të vendosë, me të drejtë, kopertina; njëlloj siç vendos ngjyra e lules nëse do ti vejë bleta për qokë apo jo.

3. Zvjerdhja e lexuesit

Lexuesi shqip ka mbetur libërdashës, por kjo ka gjasa të ndryshojë së shpejti, falë përpjekjeve të palodhura të përkthyesve zelltarë, për tia hequr dëshirën e të lexuarit.

Në kohën e Nuhut, censori i bëshëm dhe autoritar, që gëzonte mbështetjen e plotë të Baballarëve të Kombit, vendoste jo vetëm nëse Shekspiri do të botohej apo jo, por edhe se kujt do ti besohej shqipërimi i këtij dramaturgu borgjezo-revizionist. Përkundrazi, sot kushdo që kryen me sukses një kurs tremujor, të përshpejtuar, të italishtes; ose edhe ai tjetri që ka punuar ca kohë si punëtor parkimi kamionësh në tragetin Vlorë-Bari, ose ka përgjuar telefonikisht transaksionet italo-shqiptare të Camorra-s, e ndien veten kompetent dhe të gatshëm për tu matur me Ariosto-n dhe Pirandello-n.

Shqipja ka një traditë të mrekullueshme përkthimesh; dhe sot e kësaj dite, përkthyesit profesionistë dhe të talentuar nuk i mungojnë. Por si mund të konkurrojë një shqipërues i përkushtuar i Nietzsche-s nga origjinali, me këtë studentin, që Nietzsche-n e ka përkthyer (lexo: masakruar) nga rumanishtja, gjatë kohës që studionte për pastiçer në Bukuresht?

Përkthimi i keq e tremb lexuesin nga vepra, pa çka se kujtesa e leximit mbetet. I neveritur përfundimisht, ti mund ta kesh lënë përgjysmë Foucault-in që e ka sjellë në shqipe, me goditje të përqendruar brenda dy javësh, një zuzar nga bullgarishtja; por gjasat janë që ti këtij filozofi të mos i qasesh më, sepse e ke lexuar tashmë. Kush ka vrarë sytë dhe pasditet, me përkthimet aq viskoze të klasikëve përndryshe të ndaluar, që hynin në Shqipëri prej Kosove në vitet 1970-1980, do të më kuptojë më mirë; ka disa prej nesh që sot e kësaj dite u druhen Dostojevskit ose Sartre-it, kur kujtojnë të zitë e ullirit që kanë hequr dikur, me veprat e tyre të filtruara përmes serbokroatishtes.

4. Autori si hobby

Librat kanë zakonisht autor, dhe ky i fundit kur nuk ka vdekur tashmë duke i humbur edhe të drejtat e autorit ka nevojë të hajë herë pas here supë të ngrohtë dhe të gëzojë një çati mbi kokë, si strehë ndaj elementeve të natyrës.

Për fat të keq, dija ende është në mëdyshje, nëse autorët që shkruajnë për një publik relativisht të vogël, si yni, mund të mbijetojnë me të ardhurat e veprës së tyre. Praktika e ka përgënjeshtruar këtë deri më sot; pas epokës famëkeqe, kur autorëve lejet krijuese dhe fletët e kampit ua jepte i njëjti censor i rreptë që edhe ua ndalonte pastaj veprat dhe ua dërgonte për karton (versioni ekologjik i zj

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›