Sekti i poetëve në tregun e shuar

Alket Cani
Elsa Demo
Librat që ka përkthyer në dy dekada Alket Çani po edhe pak krijimtari origjinale, nuk i gjen në librari. Jo vetëm më të hershmit Metrika e dritës (1997), Shtrati i Prokrustit (2004), nga Paul Valéry Një mbrëmje me zotin Test (2003), edhe më të vonët Charles Baudelaire (poezi, 2009) apo nga Jean Bruller-Vercors 21 receta praktike për një vdekje të dhunshme (2010). Botimet autor e kanë po aq të vështirë të rrinë në treg sa edhe botimet e shtëpive të librit të mirëorganizuara. Kështu që takimi i së shtunës në Galerinë Zenit rifreskoi disa botime të Çanit të cilat në total bartin një korpus estetik.
Erdhi i ribotuar pas shtatë vjetësh Shtrati i Prokrustit. Ky libër sa pëllëmba, brenda zhanreve të poezisë thur një denduri të motiveve, ndjesive, gjendjeve, të cilat përshkojnë herë peizazhe të sotme prej territoreve të miteve të lashtësisë, herë hapësira intime që ngrihen përmes soditjes mbi gjeometri reale. E rilexuar kaq vjet më vonë, vlera e kësaj poezie paraqitet e qëndrueshme krahas më të mirës poezi bashkëkohore shqipe 1991-2010.
U lexuan përkthime prej antologjisë me pesëdhjetë poezi Charles Baudelaire ku Alket Çani ka përfshirë krahas përkthimeve të veta edhe disa nga Fan Noli, Ismail Kadare, Romeo Çollaku, Edmond Tupja, Arben Dedja. Leximi dhe krahasimi i shtyu të pranishmit të diskutonin përkthimet e ndryshme nga frëngjishtja. Pa llogaritur vëllime që qarkullojnë në shqip nga Bodler, që siç u theksua nga shkrimtari Shpëtim Kelmendi e kanë vështirësuar njohjen e këtij poeti.
Edmond Tupja i cili ka bashkëpunuar me Çanin veçanërisht për Historia e syrit dhe Zonja Eduarda dhe tregime të tjera të Georges Bataille-it, u shpreh se në gjuhën e poezisë së Alket Çanit ai rigjen trashëgiminë e asaj që quhet poezia e madhe franceze.
Moikom Zeqo nuk e harron moshën e re të përkthyesit në raport me kontributin që ai ka dhënë me 15 libra, kryesisht përkthime, autorë si Paul Valéry, Saint-John Perse, Henri Michaux, përpos faqeve letrare që ka mbajtur në shtypin e përditshëm apo botimeve në periodikët letrarë Aleph e Mehr Licht.
Zeqo vlerëson në përkthimin Bodlerit, ekuilibrin që Çani ka arritur të ruajë midis rimës dhe kuptimit, të cilat në traditën e përkthimit shqip të poezisë një kulm estetik e njohin te Rubairat e Omar Khajamit, në përkthimin e Fan Nolit.
Rubrikën e librit ia kushtojmë sot librave të përkthyer nga Alket Çani (Botimet Odeon) dhe poezisë së tij. Dhe si 23 prill, Ditë e Librit që i kushtohet përkthimit, pak pyetje për poetin përkthyes.
Kur një përkthim i Bodlerit është i dështuar?
Kjo është një çështje që kërkon një diskutim shumë të gjatë dhe besoj se nuk mund të rrekemi ta shterrojmë në këtë intervistë të shkurtër. Do të kufizohesha, me këtë rast, të thosha se, nisur nga përvoja ime e deritanishme në përkthimin e poezisë, mendoj se sa më shumë që përkthej, aq më pak besoj te përkthimi. Siç thoshte Valéry, ka përkthim për aq sa na lejojnë ndryshimet midis gjuhëve. Nga kjo pikëpamje, çdo përkthim mund të konsiderohet i dështuar. Sidoqoftë, nuk kam prirjen ta quaj të dështuar përkthimin e Baudelaire-it. Më tepër do ta quaja një variant përkthimi. Nuk mund ta quaj as të dështuar, as të arrirë. Këtë nuk e vendosim dot as ne, as në këtë moment.
Në takim u vërejt që përkthimi me rimë e prish poezinë, ndërsa përkthimi në prozë i jep asaj kuptueshmërinë maksimale. E mesmja e artë, ekuilibri mes të dyjave, është sfida.
Rima dhe kuptueshmëria nuk e përjashtojnë detyrimisht njëra-tjetrën. Një tekst mund të përkthehet pa rimë dhe prapë të jetë i pakuptueshëm. Gjithsesi ky është një debat i pambarimtë. Në analizë të fundit, çdo përkthyes e zgjidh këtë në mënyrë vetjake.
Keni shkruar se me Bodlerin ju ka afruar shumë ndjesia e Mërzisë, si më shkatërruesja dhe me krijuesja nga ndjesitë. Ka efekt të njëjtë në anën tuaj krijuese?
Nuk është tamam kështu. Spleen-in e kam theksuar si një ndër elementët kryesorë të poezisë bodleriane. Nuk besoj se ka doemos lidhje me krijimtarinë time, por as do mund ta përjashtoja krejtësisht.
Një sy në listën e gjatë të përkthimeve tuaja, kap dy prirje. Janë vepra dhe autorë që kanë shkaktuar thyerje me letërsitë pararendëse: në drejtim të estetikës (Rimbaud, Baudelaire, Michaux, Valéry) dhe të ridimensionimit filozofik të erosit (Bataille).
Nuk e kisha menduar ndonjëherë kështu. Ndoshta keni të drejtë. E vërteta është se nuk kam bërë ndonjë zgjedhje të programuar.
Libri që keni në proces, ka vazhdime nga Shtrati i Prokrustit”? A rimerr për shembull, sonetin, tematikën e mitit, apo tentativën për prozën e shkurtër poetike?
Kam përshtypjen se po. Thonë se njeriu shkruan gjithë jetën të njëjtin libër. Por meqë gjithçka rrjedh, ky libër është gjithmonë një tjetër.
Pse shkruani rrallë?
Nuk e di. Ndoshta nga lloji i poezisë që shkruaj. Ndoshta kjo lidhet me natyrën time, e cila nuk e ka edhe aq tmerr zbrazëtinë.
Sot është Dita Botërore e Librit që i kushtohet përkthimit. Kishit diçka për ata që përkthejnë në kushtet e një tregu shqiptar të librit? Apo për nivelin e komunikimit të lexuesit shqiptar me kulturat e huaja?
Që të jem i sinqertë, nuk e kam aspak të lehtë të jap mesazhe. Kushtet, natyrisht, që do të dëshiroja të ishin më të mira. Do të doja gjithashtu që të mos vendoste logjika e tregut në gjithçka. Por kjo mbetet vetëm një dëshirë dhe heqja dorë prej një dëshire ka gjasa të na bënte më të kënaqur. Lexuesi shqiptar duket i hapur ndaj kulturave të tjera. Uroj që kjo të mos jetë thjesht një dukje.